Kosova

Çekia me dy mendje për njohjen e Kosovës

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, dëshiron të diskutojë me zyrtarët kushtetues çekë mundsinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Sipas zëdhënësit të tij, Jiri Ovcacek, Zeman i bëri këto komente në një konferencë për media në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Shteti, i udhëhequr nga kriminelët e luftës, nuk i përket bashkësisë së shteteve demokratike”, tha Zeman, duke iu referuar Kosovës.

Kryetari i Senatit çek, Jaroslav Kubera, tha se ideja e presidentit për tërheqjen e njohjes së Kosovës, është joreale.

“Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë”, tha Kubera për portalin çek iDnes.

Sipas tij, Zeman i bëri komentet e tilla vetëm për t’iu pëlqyer serbëve.

Kosova është njohur nga Çekia në vitin 2008 – pak kohë pas shpalljes së pavarësisë – kur kryeministër i këtij vendi ka qenë Mirek Topolanek, ndërsa ministër i Jashtëm, Karel Schwarzenberg.

“Nëse një shtet njihet, ne nuk mund të themi më se nuk ekziston”, tha Schwarzenberg për portalin iDnes.

Sipas tij, Zeman duhet t’i pyesë futbollistët çekë nëse Kosova ekziston apo jo.

Ekipi kombëtar i Kosovës e mundi ekipin çek me rezultat 2:1, në kualifikimet për Kampionatin Evropian të Futbollit, të shtunën.

Serbia, tash e sa kohë, thuhet se është angazhuar në një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën që të zmbrapsen nga një hap i tillë.

Zeman foli me homologun serb, Vuçiq, për situatën në Kosovë, duke iu referuar në mënyrë të veçantë pozicionit të kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Tribunali i Hagës, kohë më parë, ka shprehur dyshime në lidhje me krimet e luftës të kryera nga përfaqësuesit e Kosovës dhe mendoj se për këtë arsye ka dhënë dorëheqje edhe kryetari i qeverisë. Më lejoni t’ju them mendimin tim personal: shteti që udhëhiqet nga kriminelët e luftës nuk duhet të gjendet në bashkësinë e vendeve demokratike”, tha Zeman.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës në muajin korrik, pasi, siç ka thënë, ka marrë ftesë nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Kosovë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Nuk është ende e qartë se për çfarë dyshohet Haradinaj.

Zeman, në Beograd, tha po ashtu se nëse “Serbia vazhdon në këtë drejtim, ajo do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por nuk do të jetë e para që nuk është në NATO”.

Millosh Zeman dhe Aleksandar Vuçiq. Beograd, 11 shtator 2019.
Millosh Zeman dhe Aleksandar Vuçiq. Beograd, 11 shtator 2019.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se ka zhvilluar bisedime gjithëpërfshirëse me Zemanin.

“Serbia dhe Çekia kanë trefishuar tregtinë e tyre. Çekia është investitori i katërt më i madh në Serbi, ndërsa më i rëndësishmi është bashkëpunimi në fushën e inovacionit. Kemi biseduar edhe për politikë, për vështirësistë e Serbisë në rrugën drejt BE-së dhe në raportet me Prishtinën. Shpresoj se do të kemi sukses në ruajtjen e interesave tona kombëtare. I jam falënderues Millosh Zemanit për respektin e madh. Të rrallë janë miqtë e tillë”, tha Vuçiq.

Ai i shprehu mirënjohje Zemanit veçanërisht për qëndrimin ndaj Kosovës dhe tha se “vetëm me kompromise mund të arrihet te zgjidhja e problemeve”.

Kosova dhe Serbia aktualisht janë në një process të ngecur bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.