Caktohet rikonstruktimi i vendit të ngjarjes në gjykimin për vrasjen e ndodhur në vitin 2001

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, me propozimin e prokurorit Armend Hamiti, është caktuar rikonstruimi i vendit të ngjarjes në gjykimin për vrasjen e ndodhur në vitin 2001.

Në këtë rast, Hamdi Mavriqi, Labeat Kastrati e Fahri Kajtazi po akuzohen për vrasjen e A.M, në vitin 2001 në lokalin “Inter Klub” në Prishtinë.

Fillimisht, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitarja Laura Nushi, e cila kishte qenë prezente në natën kritike.

Ajo ka deklaruar se ka kaluar një kohë e gjatë nga ngjarja dhe se nuk e kujton çdo detaj, por e mbështet deklaratën e dhënë në vitin 2002, para gjykatësit hetues në Gjykatën e Qarkut.

Duke folur lidhur me detajet të cilat i ka parë, ajo tha se kishte dëgjuar disa ‘krisma’ dhe një zë duke thënë ‘Budallë mos gjuaj’.

“Në diskotekë pasi jemi futur brenda kam vërejtur një fjalosje para 4-5 metrave, nuk i kam njoftë. Gjatë kësaj kacafytje i kanë qit përjashta sigurimat. Pasi e pamë që gjendja s’është e mirë, kemi dalë nga diskoteka në 3:30”, tha Nushi.

Dëshmitarja theksoi se duke dalë, kanë vërejtur sigurimin se kishte problem me ata persona, e më pas e kanë parë një person të shtrirë në shkallë.

“Duke hyrë në taksi kam dëgju disa kërsima, ku kam vërejt tre persona, ku njëri nga ta ka pasë armë dhe njëri nga ta ka thanë budallë mos gjuaj. Aty mandej ka pasë disa krisma rrafall. Taksisti ka ikë nga frika dhe kemi mbet pa hyp në taksi. Kam pa një person të shtrirë në shkallët e Pallatit të Rinisë dhe pasi që punoja në polici, e kam ndjerë obligim me i lajmëru policinë”, tha dëshmitarja.

Në këtë seancë, trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit Hamiti lidhur me leximin e deklaratave të dy dëshmitarëve, Besim Mehmeti dhe Skender Berisha.

Po ashtu, gjatë shqyrtimit gjyqësor, prokurori Hamiti propozoi që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes, me qëllim që të ketë një pasqyrë për zbardhjen e këtij rasti, ku veprimi i tillë do të ndihmonte në një epilog përfundimtar, në mënyrë të mos zvarritet më kjo lëndë ashtu siç ka ndodhë prej vitit 2002.

Edhe ky propozim, u aprovua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Agim Kuçi.

Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza. Kastrati ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes në tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, Kajtazi ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes në tentativë, Cakaj për veprën penale të zotërimit, posedimit, kontrollimit dhe shfrytëzimit të paautorizuar të armëve.

ipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Kurse, të akuzuari Mavriqi e Kastrati, me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza për “Vrasje në tentativë”.

Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin. Po ashtu, ankesë kishte paraqitur edhe mbrojtja e Kastratit, Kajtazit dhe Cakajt.

Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme, kishte marrë vendim me të cilin ankesa e prokurorit që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ajo e mbrojtësve të tij të refuzohen si të pabazuara dhe në këtë pjesë, aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002, vërtetohet.

Po ashtu, kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, më 17 dhjetor 2001, në “Inter Klub” në Prishtinë, të akuzuarit Fahri Kajtazi, Milaim Cakaj, Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve, ishin gjuajtur me armë me qëllim që të privojnë nga jeta njëri-tjetrin.

Mirëpo, aktakuza thotë se të akuzuarit Kastrati dhe Mavriqi duke shtënë në drejtim të Kajtazit, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.

Go to TOP