Kombëtare

Caktohet masa e paraburgimit, ndaj V.N. i dyshuar për kanosje

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.N.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtarja e procedurës paraprake e Divizionit Penal Fitore Krivanjeva Daci, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 21.01.2021, me qellim te frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, e kanosë të dëmtuarin R.J., në atë mënyre që  përmes telefonit celular i ka dërguar SMS mesazhe në aplikacionin mesengjer dhe atë me përmbajtje kërcënuese si: ’’gjalle ska me ju lëshua se fort ju kam rrespektu, pasha fëmijët ja keni mem vra, ja kam me ju vra dijeni, s’deshët me u marr vesh fare ka me ju qitë’’, me ç‘rast kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim dhe frike dhe pasiguri tek i dëmtuari dhe familja e tij.

Andaj gjyqtarja e procedurës paraprake bazuar në dispozitat e KPPRK-së, vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, dhe se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarës, përkatësisht motrës së tij dhe të dëshmitarëve tjerë, dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Kosova.info/