Cakolli: Presidentja ka rol tërësisht ‘vulosës’ të vullnetit të deputetëve

Ditët e fundit ka pasur deklarata të ndryshme nga liderët politikë rreth mundësisë së mbajtjes për zgjedhje të parakohshme.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se për t’u iniciuar procedura e shpërndarjes së Kuvendit, kërkohet fillimisht thirrja e një seance të jashtëzakonshme – që bëhet nga të paktën 40 deputetë.

“Ndërsa, për t’u shpërndarë suksesshëm Kuvendi nga vet deputetët, nevojiten votat “për” nga të paktën 80 deputetë. Në funksion të kësaj, Presidentja ka rol tërësisht “vulosës” të vullnetit të deputetëve, dhe çfarëdo përfshirje e saj para votimit, përbën cenim të rolit të saj kushtetues”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

Sipas tij, derisa asnjë legjislaturë nuk e ka përmbyllur mandatin e rregullt, Kuvendi i Kosovës deri më tani e ka shpërndarë veten vetëm një herë – në vitin 2014.

“Atë kohë, kërkesa e parashtruar nga PDK dhe LDK, ndërsa nuk ishte përkrahur vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Qëndrimi i LVV-së atëbotë ishte që nuk duhet të shpërndahet Kuvendi por të rrëzohet Qeveria, sepse shpërndarja e Kuvendit, përveç sabotim i Republikës, e shfajësonte ekzekutivin nga dështimet dhe përgjegjësia politike. Ndërsa, qëndrimi i LDK-së, por edhe partive tjera, ishte se nuk ka rëndësi forma e shkuarjes në zgjedhje, meqë pasoja juridike si e mocionit të mosbesimit, ashtu edhe e shpërndarjes së Kuvendit, ishte e njëjta”, tha Cakolli.

Duke shtuar se sot kanë ndryshuar qëndrimet e disa partive për shkuarjen në zgjedhje. /Kosova.info/

Go to TOP