Kosova

Cakolli: Çfarëdo ndikimi në vullnetin e deputetëve i papranueshëm

Eugen Cakolli, nga KDI, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se është i papranueshëm presioni i ushtruar nga presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj mbi deputetin Haxhi Shala që të votojë pro formimit të Qeverisë Hoti.

Shala në Kuvend sot ka deklaruar se mbrëmë në shtëpinë e tij e kishin vizituar Thaçi e Haradinaj, të cilët sipas tij ndikuan në ndryshimin e përcaktimit të tij për votën pro Qeverisë Hoti.

Deputeti i Nismës, Shala, ditë më parë kishte deklaruar publikisht se është kundër formimit të Qeverisë Hoti.

“Nga ajo që kemi parë është se Shala ka bërë një deklarim publik lidhur me të cilin kemi shprehur një shqetësim të thellë, duke qenë se është hera e parë që një deputet, me apo pa dashje, tregon se liderët institucional apo kushdo tjetër ka mundur të ndikojë drejtpërdrejtë në përcaktimin e tij, le të themi për të marrë një vendim se a do të votojë kundër apo pro formimit të Qeverisë. Duke qenë se para disa ditës ai kishte deklaruar se nuk do të votojë Qeverinë Hoti”, ka thënë Cakolli. “Besojmë se përfshirja apo çfarëdo lloj ndikimi në mandatin e deputetëve përkatësisht në përcaktimin e lirë të vullnetit të tyre është i papranueshëm”.

Dhe një gjë e tillë, sipas Cakollit, sanksionohet edhe me normat në fuqi, duke filluar nga Kushtetuta e vendit e deri tek rregullorja e Punës së Kuvendit, të cilat përcaktojnë në mënyrë të qartë dhe shprehimore se deputetët nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë presioni apo vullneti të jashtëm, qoftë ai nga presidenti, ish-kryeministri apo cilido individ tjetër, meqenëse kjo dëmton në thelb vetpërcaktimin e lirë të tyre dhe pastaj mund të ndikojë në marrjen e vendimeve të cilat mbase në një situatë tjetër nuk do të ishin të tilla.

“Ne besojmë në pavarësinë e deputetëve në ushtrimin e mandatit të tyre dhe njëkohësisht njohim rolin e presidentit si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve mirëpo që nuk mund të përkthehet në asnjë variant si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në përcaktimin. Thaçi ka kryer detyrat e tij kur ka mandatuar Hotin për kryeministër me ç’rast e tërë barra e përgjegjësisë për zgjedhjen e kryeministrit ka qenë tanimë tek Kuvendi dhe deputetët”, ka thënë ai.

Cakolli thotë se Shala do të duhej të tregonte paraprakisht për këtë presion.

“Si deklaratë ka qenë e papritur edhe për shkak të përfshirjes së presidentit dhe ish-kryeministër. Nuk i di motivet se pse Shala ka vepruar asisoj. Ai si deputet do të duhej që një presion të tillë, nëse ka qenë presion, është dashur që ta bëjë publik më herët, ndërsa në anën tjetër nëse vetëm ka marrë sugjerimet e tyre nuk besoj se është dashur të shpalosen në Kuvend, përkundër faktit që në asnjë variant nuk i takon presidentit që të përzihet në vullnetin e lirë të deputetëve”, ka thënë ai. “Vota e deputetit Shala ka qenë përcaktuese se a do të formohet kjo Qeveri apo jo, në rast se vota e tij do të ishte kundër atëherë ne do të kishim zgjedhje të parakohshme”.

Cakolli pret që kjo qeveri të ketë probleme brenda Kuvendit për shkak të numrit të vogël të deputetëve.

“Formimi i një qeverie me vetëm 61 deputetë do të jetë tejet problematik, qoftë sa i përket funksionimit të përditshëm në Kuvend, mirëpo edhe fakti se pjesa më e madhe e deputetëve opozitarë janë ata që kanë qenë pozita ministrore dhe kjo do të ndikojë që të ketë polarizime”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij kjo Qeveri do të ketë shumë të vështirë edhe kalimin e ligjeve më të thjeshta.

ka shtuar se tani është më se e nevojshme që të ketë koordinim ndërmjet pozitës dhe opozitës.

“Nga ajo çfarë kemi dëgjuar është pritur që të ketë pjesëmarrje të deputetëve të Vetëvendosjes. Besoj se mospjesëmarrje e tillë është njëlloj proteste e tyre, duke treguar se kjo qeveri nuk do ta ketë përkrahjen e tyre. Tejet pozitive është për Kosovën që të ketë tranzicion të qetë të pushtetit nga një subjekt te një tjetër. Fakti që ne nuk kemi arritur asnjëherë nuk kemi arritur të përmbyllim një mandat të plotë tregon se sa jo stabile kanë qenë legjislaturat deri më tani. Kjo vjen në radhë të parë nga sistemi elektoral por edhe për shkak të polarizimit të skajshëm të partive”, ka thënë Cakolli.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.