Kosova

Cakaj: Kushdo që ka dashur të më paraqes si shërbëtor të ndryshimit të kufijve – ose ka qenë dashakeq ose i paditur

Gent Cakaj, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, në Rubikon të KTV-së, ka treguar se si ka ardhur deri në këtë post.

Ai i ka hedhur poshtë deklaratat e përfolura në publik se ka qenë Baton Haxhiu ai që e ka bërë ministër atë në kabinetin e Edi Ramës.

Live në Rubikon – Gent Cakaj, ministër i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë

Gepostet von Koha.net am Dienstag, 22. Oktober 2019

“Mua më ka njoftuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, shefja aktuale e kabinetit të kryeministrit. Kam pasur disa takime paraprake me të, kam pasur komunikim aktiv me kabinetin e kryeministrit. Në momentin që e kam marrë shtetësinë shqiptare, kam punuar aktivisht me zyrën e kryeministrit. Rama më ka emëruar Koordinator kombëtar për skrining, dhe kam qenë zv/ministër përgjegjës për Integrimin.

Bazuar në performancën time, kryeministri Rama ka vendosur të ma besojë detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Asnjëherë s’ka qenë në pyetje çështja e Kosovës për mua, e as për largimin e ministrit paraprak. Në intervistën e dhënë më 2018, ku unë supozohet se kam mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve, unë aty them se nëse një marrëveshje e tillë është precendet për të gjitha të arriturat e Ballkanit Perëndimor, atëherë nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Cakaj.

Ai sqaron më tej deklaratat e tij në këtë intervistë, ku thekson se ka hedhur poshtë idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës.

“Unë them më pas se ndryshimet e kufijve në rajon duhet të përjashtohen kategorikisht. Më pas them se shfrytëzoj rastin të jem kritik për idenë e ndryshimit të kufijve, dhe nuk do të mbështes një marrëveshje të tillë. Kam përmendur Rumaninë dhe vende tjera. Deklarata ime e parë publike në jetë ka qenë te Blendi Fevziu, në shkurt më 2018, unë kam qenë kundërshtari i kësaj ideje, pra për shkëmbimin e territoreve”, u shpreh më tej ministri në detyrë Cakaj.

Duke iu referuar akuzave se ka shërbyer kundër interesave të Kosovës dhe kundër interesave kombëtare, Cakaj thotë se përderisa është në detyrë dhe akuzat i janë bërë në, “nuk mund të flas derisa jam në detyrë, sepse kam kufizim në komunikim”.

Thotë se edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në dekretin e tij ku ka kundërshtuar emërimin e tij në postin e ministrit, “ka nxjerrë jashtë kontekstit deklaratat e mia për ndryshimin e kufijve”.

“Unë kam bërë analizë, por s’kam marrë qëndrim. Përderisa për këmbim të kufijve është folur për dhënien e veriut të Kosovës e marrjen e Preshevës, kam thënë se ai term, përveç që është relativizim gjuhësor, tani më nuk po e konceptojnë sikur ndryshim të madh të territoreve midis Kosovës e Serbisë, por ekziston një prirje për ta paraqitur si një proces të natyrshëm të ndryshimit të kufijve.

Nëse një fjali e tillë ka bazë për të më paraqitur mua si shërbëtor për ndarjen e Kosovës, në rastin më të mirë është padituri e në rastin më të keq dashakeqësi, por mund të jenë edhe të dyja. Kushdo që ka pasur dëshirë, qoftë për shkak të xhelozive a inateve personale, që ka synuar të më vendos mua në shërbim të kësaj agjende – ose ka qenë dashakeq ose i paditur”, potencoi Cakaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.