Kosova

Bytyqi: Tekstet e reja shkollore në fazën përfundimtare, nga shtatori në dispozicion

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mbajti konferencë për media lidhur me procesin e teksteve të reja shkollore, me ç’rast janë dhënë informata për ecurinë e procesit në të dy fazat, të cilat janë zhvilluar në formë të Kampusit.

Ministri Bytyqi në fjalën e tij ka bërë të ditur se, MAShT ka bërë thirrje publike për recensentët e dorëshkrimeve edhe pse në bazë të ligjit, recensentët mund të emërohen në mënyrë direkte dhe për këtë është formuar një komison profesional.

Ministri Bytyqi theksoi se, të gjitha dorëshkrimet të cilat kanë qenë pjesë e këtij procesi kanë qenë të koduara dhe do të vazhdojnë të jenë deri në përfundim të procesit, ndërkaq shtoi se tekstet e përzgjedhura fillimisht do të pilotohen.

Ministi Bytyqi po ashtu bëri të ditur se, organizmi i kampuseve ku është bërë vlerësimi i dorëshkrimeve nuk kanë tejkaluar planifikimin buxhetor.

“Buxhetimi nga ana e KEPSh ka rezultuar pozitiv, jemi nën koston e buxhetimit i cili ka qenë i planifikuar. Kemi shpenzuar shumë më pak se sa kemi planifikuar dhe në mënyrën më të mirë është ruajtur paraja publike. Jemi munduar të krijojmë kushte sa më të mira për recensentë. Faza e parë ku është punuar në tekstet e klasave 1, 6 dhe 10 ka kushtuar 27 mijë e 480 euro, faza e dytë ku është punuar me tekstet e klasave 2, 7 dhe 11 ka kushtuar 34 260 euro, ndërsa faza e tretë i cili është organizuar në Emerald ka kushtuar 12 564”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi gjithashtu ka thënë se, MAShT ka marrë të gjitha masat profesionale dhe logjistike që procesi të shkojë sa më mirë dhe mbarë, duke qenë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e procesit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.