Kosova

Bytyqi: Organizatat studentore të politizuara, Nisma nuk ka asnjë lidhje me to

Në seancën e jashtëzakonshme për arsim, javën e kaluar, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka akuzuar të parin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, për shkatërrim të sistemit arsimor.

E njëjta ka përmendur emrat e disa personave që sipas saj janë të afërm të ministrit, e që janë punësuar në dikasterin që ai e udhëheq. Këto akuza, ministri thotë se janë fushatë politike. Madje, sipas këtij të fundit, prej ardhjes së tij në krye të kësaj ministrie, nuk ka asnjë të punësuar me kontratë të rregullt.

Bytyqi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se për një mandat nuk mund të transformohet për të mirë i gjithë sistemi arsimor, gjë që sipas tij mund të jetë vetëm si iluzion. Ai pranon se nuk është bërë mjaftueshëm në sektorin e arsimit, megjithatë zotohet se janë duke punuar për reforma, duke shtuar se ka pasur shumë trajnime të mësimdhënësve që do të reflektojë edhe në të arriturat e nxënësve.

Kritika e akuza nga ana e deputetëve, Bytyqi ka pasur edhe për manipulim të procesit të vlerësimit të teksteve. Ky i fundit zotohet se procesi ka shkuar ashtu siç është paraparë edhe me procedurat ligjore.

Ditë më parë ishte raportuar se udhëheqësja e divizionit për njohje dhe barasvlerë të diplomave në NARIC Kosova, Kumrije Gagica ia kishte drejtuar ministrit të Arsimit dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie shkeljet ligjore të disa kolegjeve private, për çka i kishte kushtuar kësaj zyrtareje me largim nga pozita. Sa i përket kësaj ministri thotë se e njëjta e ka shkelur etikën e punës.

Teksa flet për angazhimin e studentëve në organizatat studentore dhe adresimin e kërkesave të tyre me anë të protestave, Bytyqi thotë se shumë prej tyre janë të politizuara. Mirëpo, mohon që Nisma Socialdemokrate ndikon në njërën nga këto organizata.

Studentët, sipas Bytyqit, duhet të kenë kërkesa për arsim më të mirë, profesorë e kushte më të mira, e jo kërkesa politike. Pra, siç thotë Bytyqi këto organizata studentore duhet të bëjnë luftë për studime më të mira.