Kosova

Bytyqi: Marrëveshje me drejtorët e Arsimit që të zëvendësohen orët e humbura

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, pas takimit me drejtorët komunal të arsimit ka thënë se janë marrë vesh për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Në pajtim me të gjithë drejtorët komunal të arsimit, erdhëm në përfundim që të zbatohet udhëzimi administrativ që ka të bëjë me normativen dhe kalendarin e vitit shkollor. Tash e tutje secili drejtor i DKA-ve në bashkëpunim me kryetarët e komunave do të gjejnë formën më të mirë të kompensimit të orëve”, ka theksuar Bytyqi, raporton “Koha Ditore”.

Ai ka thënë se vazhdon të mbetet në fuqi vendimi i tij për zëvendësimin e orëve.

“Sindikatës i kemi dhënë shumë hapësirë, ata vazhdojnë të jenë shumë të ngurtë vetëm në kërkesat e tyre dhe pa u lodhur fare në koherencën e zgjedhjes së problemit dhe nuk ishin të gatshëm në zgjidhjen e problemit”, ka deklaruar Bytyqi.

Ndërkaq, kryetari i kolegjiumit të drejtorëve komunal të arsimit, Besim Avdimetaj e ka ftuar sindikatën që të mos jetë pengesë për zëvendësimin e orëve.