Kosova

Bytyçi: Hoxhaj sot foli shumë qartë! Ai flet në emër të PDK-së

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avi Bytyçi, i ka reaguar nënkryetares së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila ka thënë se AAK nuk ka kërkuar përkrahjen e Enver Hoxhajt për ta bërë Ramush Haradinajn president, por kanë kërkuar përkrahjen e themeluesve të PDK-së.

Bytyçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Hoxhaj flet në emër të PDK-së, e ai sot foli shumë qartë.

Postimi i plotë i Bytyçit:

“Time Kadrijaj paska thënë se ata i paskan kërkuar përkrahjen e themeluesve të PDK-së për kandidatin e tyre për President.

Koment:

Tre prej themeluesve të PDK-se gjinden në Hagë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka kryetarin e saj në detyrë, e ai është z. Enver Hoxhaj.

Si i tillë z. Hoxhaj flet në emër të PDK-së, e ai sot foli shumë qartë.

Partia Demokratike e Kosovës ka votë vetëm për propozimin që buron nga PDK për pozitën e Presidentit!”, ka shkruar Bytyçi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke folur për kandidaturën e tij për president të vendit, ka thënë se kanë qenë afër përmbylljes së marrëveshjes me Thaçin dhe Veselin për kandidaturën e tij për president.

Ndwrsa, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë një debati televiziv ka thënë se tema e presidentit nuk është diskutuar në PDK.

“Do të ishte absurde që ne të votojmë një kandidat të partnerëve të koalicionit, ku një herë e kemi bërë Ramush Haradinajn kryeministër, një herë Isa Mustafën, dhe në vitin 2021 ne ta votojmë një kandidat që do të vijë nga ta. Presidenti është çështje e koalicionit. Ne s’mund t’i japim premtim asnjë personi për votë të presidentit…”, ka thënë Hoxhaj.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj duke thënë se nuk kanë kërkuar përkrahjen e Enver Hoxhajt, por kanë kërkuar përkrahjen e themeluesve të PDK-së. Ajo ka thënë se në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, duhet një president si Ramush Haradinaj.