Kosova

Bushati për minishengenin: Kritikat ndaj Ramës të padrejta

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka folur edhe për idenë e mini-schengenit.

Ai ka thënë se kritikat drejtë kryeministrit shqiptar, Edi Rama, janë të padrejta.

“Unë nuk komentoj dot pse akterët politikë në Kosovë kanë qenë kundër kësaj ideje, por ajo që më bëri përshtypje mund të them që në të shumtën e rasteve ata me të padrejtë e kanë kritikuar kryeministrin e Shqipërisë për këtë ide dhe nga ana tjetër kur u vendos reciprociteti me Serbinë, po të njëjtin akterë e kritikuan edhe vendosjen e reciprocitetit. Këtu besoj që kemi të bëjmë me një situatë paradoksale”, ka shtuar ai.

Ai tutje ka folur edhe për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Është shumë e rëndësishëm që të ketë një projekt të zhdërvjelltë të bashkëpunimit edhe njerëzor edhe të një bashkëpunimi ekonomik dhe të gjitha fushave dhe natyrisht që kjo do ta ndihmonte bashkëpunimin dhe bashkimin politik dhe do të qonin drejtë një forme krejt tjetër që nuk e kemi njohur më parë”, ka thënë ai.

Bushati thotë se në dialogun Kosovë-Serbi duhet unitet, përkrah vendosjen e reciprocitetit

Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ka thënë se në dialogun Kosovë-Serbi duhet të ketë unitet kombëtar.

Ai tutje ka deklaruar se nuk duhet të ketë protagonizëm në dialog, duke shtuar se uniteti është i rëndësishëm në këtë proces.

“Pikënisja në një proces të bisedimeve sa më rezultativ, është uniteti kombëtar. Uniteti kombëtar është jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë proces, pra jo protagonizmi. Është shumë i rëndësishëm në këtë proces që të dihen parimet negociuse, pra për çfarë do diskutojmë”, ka thënë ai.

Sipas Bushatit, cilësia e marrëveshjes me Serbinë, nuk varet nga koha kur përmbyllet ajo

Ai ka thënë se në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të identifikohen arritjet dhe dështimet në raport me qytetarët e të dyja vendeve.

Bushati ka shtuar se duhet të jetë e qartë se si të mbyllet procesi i bisedimeve.

“Besoj që koha në një proces negocimi është e rëndësishme për të nxitur palët për ta shfrytëzuar me racionalitet atë, por nuk mund të jetë i vetmi kriter për cilësinë e një marrëveshjeje. Në procesin e nisur në Bruksel ne duhet të jemi në gjendje për t`i identifikuar arritjet dhe dështimet në raport me qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Nëse duam që ta përmbyllim këtë proces, duhet ta kemi të qartë se si ta mbyllim këtë proces”, ka thënë ai.

Ish-ministri shqiptar përkrah vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë

Ish-ministri i Jashtëm në Shqipëri, Ditmir Bushati, ka thënë se e përkrah vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai në emisionin Desku në KTV ka thënë se parimi për lëvizjen e mallrave duhet të vlejë në mënyrë të njëjtë për të dyja shtetet.

“Besoj që siç produktet serbe mund të futen në Kosovë apo Shqipëri i njëjti parim duhet të vlejë edhe për produktet nga Kosova për t’u futur në tregun serb apo boshnjak. Kjo është një çështje që politikanët e kanë me zgjedhësit”, ka thënë ai.

Bushati: Ideja e shkëmbimit të territoreve u paraqit nga shqiptarët

Ideja e shkëmbimit të territoreve u paraqit nga shqiptarët, sipas ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Ai në emisionin “Desku” në KTV ka thënë kjo i është servirur popullit në shqip.

“Është për të ardhur keq por kjo tezë e vjetër serbe është hedhur në tavolinë apo i është servirur popullit publik në shqip. Nuk është i është servirur as në anglisht, as në frëngjisht, as në gjermanisht, madje as në serbisht por fillimisht i është servirur në shqip. Nuk kemi pse të themi se kush e ka thënë, as se a ka një plan të fshehtë se e ka marrë bekimin diku”, ka thënë Bushati.


Bushati: Finalizimi i dialogut, i suksesshëm vetëm me përfshirjen e SHBA-së dhe BE-së

Sipas Ditmir Bushatit finalizimi i suksesshëm i dialogut bëhet vetëm me përfshirjen e SHBA-së dhe të BE-së.

“Besoj fuqishëm sepse në finale pa ndërhyrjen e ShBA-së, që është garantuesi kryesor i perimetrit të sigurisë, jo vetëm në Kosovë plus investimi i BE-së do ta bënte këtë proces të suksesshëm. Çdo tentativë tjetër, nuk e qon ujin në rrjedhat që Kosova”, ka thënë ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë në emisionin “Desku”.

Bushati: S’është në interes të Kosovës entuziazmi për deklaratat e BE-së e të SHBA-së

Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, është shprehur në “Desku” se nuk është në interes të Kosovës përplasjet rreth BE-së dhe SHBA-së.

“Në disa raste më është krijuar përshtypja që një pjesë e mirë e udhëheqësve në Kosovë, duket se e kanë transferuar këtë përgjegjësi në shpatullat e të tjerëve”, është shprehur ai.

Sipas tij Kosova në radhë të parë do të duhej të bënte një inventar të arritjeve dhe të dështimeve që janë të natyrshme në një proces negocimi nga ajo që konsiderohet si proces i Brukselit.

“Dhe në këtë proces është shumë e rëndësishme që të identifikohen edhe impakti që ky proces ka pasur për jetën e qytetarëve në Kosovë. Së dyti, Kosova besoj që e ka të shenjtë çimentimin e aleancës transatlatike”, ka thënë Bushati.

Sipas tij më e rëndësishmja për Kosovën është uniteti i vendeve të QUINT-it.

“Nuk është në interesin e Kosovës që të përfshihet në debat as me Bashkimin Evropian as me pesë vendet që nuk e kanë njohur si të tillë, brenda radhëve të BE-së, e as të lexojë me entuziazëm një deklaratë që mund të vijë nga përfaqësuesi special i SHBA-së e as një deklaratë tjetër që mund të vijë nga një vend tjetër pjesë e QUINT-it. Për Kosovën, është i rëndësishëm, uniteti i vendeve të QUINT-it”, ka thënë Bushati.


Bushati: Tema kryesore në Kosovë do të duhej të ishte shëndeti publik

Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ka thënë se edhe në Kosovë do të duhej të ishte pandemia tema kryesore.

“Do të kishte qenë më e udhës që të mbyllej edhe të adresohet disi kjo krizë që është botërore sepse kërkon qeveri të fortë, institucione legjitime dhe të besueshme. Sepse politika aty do të jetë, do të vazhdojë pas dy, tre, katër apo gjashtë muajsh”, është shprehur ai në emisionin “Desku”.

Sipas tij çështja ekonomike dhe shëndeti i qytetarëve janë temat më të rëndësishmet tani.

“Është shumë e rëndësishme që në çdo vend të botës, përfshirë edhe Kosovën, kjo të jetë tema kryesore e ditës sepse siç e kemi vënë re dy janë temat kryesore të ditës: shëndeti publik, shpëtimi i sa më shumë njerëzve nga njëra anë dhe sigurimi i një perspektive ekonomike dhe shoqërore në raport edhe mundësitë që ekzistojnë nga të gjitha institucionet financiare që e mbështesin sot për sot Kosovën për të reduktuar në maksimum në një periudhë afatmesme efektet që vijnë nga pandemia, e që nuk I shpëton dot asnjë shtet edhe Kosova përfshirë këtu”, ka thënë ai.