Kombëtare

Bulliqi: Komuna e Podujevës paguan 600 mijë euro për një kilometër gyp

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka adresuar kritika ndaj ish-bashkëpartiakëve të tij për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza.

Ky projekt që financohet nga Qeveria e Austrisë nëpërmjet kredisë së butë, sipas Bulliqit 1 kilometër po i kushton komunës 600 mijë euro. Projekti sipas tij, do të duhej të fillonte në Lupç, ndërsa Komuna e ka nisur në Lluga. Bulliqi ka thënë se kjo është një kontratë njëburimore, pa tender.

“Pastaj qytetarët mund të mos e dinë, janë marrë 5 milionë e 300 mijë euro kredi për këtë, të cilat duhet t’i kthejmë. Dhe kur te llogarisim gjatësinë, i bie që jemi t’u e paguar kilometrin 600 mijë euro për vendosjen e një gypi njëmetërsh. Pjesa dërmuese e familjeve nuk kanë me mujt me u lidh në këtë gyp për shkak të gabimeve që janë bërë…”, ka thënë Shpejtim Bulliqi në tubimin që e ka mbajtur në Shkollën “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, raporton Koha.

Sipas tij, qeverisja komunale e LDK-së i ka lënë 22 drejtorë me ushtrues detyre.

“Jo pse nuk i plotësojnë kushtet, por i kanë lënë kështu për t’i shantazhuar më lehtë. Do të angazhohemi për shkolla profesionale, duke e lidhur edhe me praktikën…Podujeva ka mbetur njëra prej komunave më të varfëra të Kosovës, edhe mjaft resurse natyrore dhe humane. Por, për t’i shfrytëzuar këto të mira është dashtë me iu pri një kryetar që ka sens e që ka vullnet. Por meqë deri tash nuk ka ndodh një gjë e tillë, atëherë ne e kemi hartuar një program pune, i cili i përfshin të gjitha fushat, si arsim, shëndetësi, administratë, mjedis, zhvillim ekonomik, sport, kulturë, rini, etj. Krejt këto fusha janë të rëndësishme për funksionimin normal të Komunës”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi.

Ndërsa, deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, ka thënë se ka ardhur dita të ndryshojnë gjërat edhe në Llap e Gollak.

“Dhe kjo mund të bëhet vetëm me Vetëvendosjen e Shpejtim Bulliqin”.

E deputeti tjetër i kësaj partie, Fitim Haziri, e ka kritikuar Agim Veliun që e la komunën, siç ka thënë ai, në gjendje shumë të keqe për një punë më të lehtë si ministër.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.