Kombëtare

Bulliqi: Komuna e Podujevës ka bërë shkelje flagrante me projektin e palestrës sportive

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë kanë akuzuar komunarët për mosrealizimin e projektit të palestrës sportive në qytet, ndërkohë që e njëjta, sipas tyre, ka hyrë në zotime kontraktuale gati 2 milionë euro.

Deputeti i kësaj partie, Shpejtim Bulliqi, njëherësh kandidat për kryetar të kësaj komune, në një konferencë për media ka thënë se sipas kontratës së nënshkruar nga komuna, palestra do të duhej të përfundonte brenda këtij muaji, ndërsa ajo nuk ka nisur së realizuari fare.

Ky projekt që ishte paraparë të niste në nëntor të vitit 2017, pritej të financohej nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa procedurat e prokurimit i ka udhëhequr Komuna e Podujevës.

“Më 6 shtator 2017 e kemi njoftimin për dhënie të kontratës për ndërtimin e palestrës sportive në Podujevë. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 2 milionë e 565 mijë euro. Më 13 shtator e kemi njoftimin tjetër për kontratë dhe më 15 nëntor e kemi njoftimin e tretë të nënshtrimit të kontratës për këtë palestër me vlerën e përgjithshme prej 1 milion e 885 mijë e 110 euro. Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 36 muaj”, ka thënë Bulliqi.

“Kjo i bie që brenda një muaji do të duhej të përfundonte ky projekt, por në realitet ai nuk ka nisur fare. Komuna me këtë rast i ka bërë shkelje flagrante: në njërën anë ka munguar zotimi i mjeteve, ndërkohë që ky hyrë në zotime kotraktuale dhe tash shumë lehtë kompania fituse mund t’i kërkojë komunës një pjesë të këtyre mjeteve. Pra komuna është në obligim financiar, sepse komuna nuk është fajtore pse nuk është ndërtuar palestra. Po ashtu, komuna ka menduar të ndërtojë në një pronë që nuk është fare e veta, por në menaxhim të AKP-së, e cila me sa e di edhe e ka privatizuar”, ka shtuar ai.

Sipas Bulliqit, komuna u ka shkaktuar dëm qytetarëve me mospërfundimin e këtij projekti dhe në anën tjetër është futur në obligime financiare, e cila mund t’i shkaktojë telashe me kompaninë fituese.

KOHA ka raportuar disa herë për këtë çështje. Ky projekt ishte paraparë të ndërtohej në pronën e ish-ndërmarrjes “Fapol” në Podujevë, kjo nuk ishte lejuar nga pronarët e kompanisë “Jaha Company” të cilët në atë kohë e kishin marrë me qira nga AKP-ja e më pas edhe e kishin privatizuar.

Objektet e ish-ndërmarrjes shoqërore “Fapol” për 10 vjet ishin dhënë në shfrytëzim ku kjo hapësirë ishte shfrytëzuar si terminal doganor. Pas përfundimit të kontratës dhjetëvjeçare, menaxhimin e saj e kishte marrë përsipër AKP-ja ku kishte vazhduar edhe për një kohë shfrytëzimi si terminal doganor. Më vonë pas mbylljes së tij, AKP-ja ua kishte shpërndarë librezat rreth 100 punëtorëve, të cilëve ua kishte bllokuar edhe xhirollogarinë me qindra mijëra euro. AKP kishte tentuar ta privatizojë edhe më herët këtë ndërmarrje, por Vala 60, në të cilin ishte paraparë privatizimi edhe i “Fapol-it”, kishte dështuar për shkak të problemit me disa prona në një komunë tjetër. Në vitin 2015 këtë pronë AKP-ja e kishte dhënë me qira deri në prill të vitit 2017, në të cilat ka filluar përgatitja e specave turshi. Ndërkohë, në vitin 2017 AKP-ja ka shitur vetëm objektet e ish-“Fapolit” për 555 mijë euro. Ndërsa, prona është në kontest gjyqësor ndërmjet Komunës së Podujevës dhe AKP-së.