SHËNDETËSIA

Bullgaria ndihmon Kosovën për t’u përballur me pandeminë

Bullgaria e ka ndihmuar Kosovën me veshje mjekësore për profesionistët shëndetësorë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia e falënderoi ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev, i cili në emër të shtetit të tij, bëri dorëzimin e një sasie të konsiderueshme të veshjeve trupore për nevojat e profesionistëve shëndetësorë.

Ministri Vitia dhe ambasadori Gudjev e vlerësuan bashkëpunimin midis dy shteteve dhe reagimin me kohë ndaj pandemisë së Covid-19, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik të qytetarëve të dy shteteve.

Në këtë drejtim, ministri Vitia ka theksuar se partnerët ndërkombëtarë e kanë ndihmuar Kosovën që të menaxhojë në mënyrë sa më të mirë këtë vështirësi të shëndetit publik, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.