Kosova

Bullgaria kritikon BE-në për mos-liberalizim të vizave për Kosovën

Bashkimi Evropian i kishte vënë kritere të shumta Kosovës për të përmbushur, pas përmbushjes së të cilave u tha se do të realizohej lëvizja e lirë pa viza në zonën Schengen për qytetarët kosovarë.

Në mesin e kushteve ishte edhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, ratifikimi i së cilës marrëveshje nuk u arrit të realizohej për rreth 3 vjet, por edhe pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Kosovës, liberalizimi nuk ndodhi.

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka kërkuar nga BE-ja që t’i “përmbush premtimet e saja” në shkëmbim të reformave që i kërkon nga vendet e Ballkanit, transmeton Koha.net.

“I premtuam Kosovës se do të fitojë liberalizim të vizave nëse i përmbushin kushtet – kështu edhe bënë dhe një vit më pas nuk ka liberalizim”, ka thënë Zaharieva gjatë një konference të mbajtur në qytetin bullgar Plovdiv të mërkurën. “Kur BE-ja nuk i përmbush premtimet e veta, do të humbë besimin” e atyre vendeve, ka shtuar ajo, raporton “Bloomberg”.

Pa një përkushtim të qartë dhe mbikëqyrje të rajonit të shkatërruar nga lufta, analistët parashikojnë atmosferë fragjile në Ballkanin Perëndimor. Kjo rrezikon thellimin e luftës për pushtet në rajon mes Perëndimit, Rusisë, Kinës dhe Lindjes së Mesme.

“Politika rajonale është e trazuar”, ka thënë Timothy Less, lider projekti në Forumin për Gjeopolitika në Kolegjin Darwin, Universiteti i Cambridget. “Shoh më shumë trazira politike gjatë viteve të ardhshme dhe kalim në autoritarizëm pasi njerëzit e nervozuar – veçanërisht klasat rurale dhe ato punëtore – u bëjnë thirrje liderëve të tyre të ruajnë rendin dhe sigurinë”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.