Kosova

Bullgaria do ta përkrahë Kosovën në rrugën drejt BE-së

Ambasadori i Bullgarisë në Prishtinë, Hristo Gudjev ka porositur me rastin e shënimit të 3 Marsit- Ditës Kombëtare të këtij vendi, se vetëm përmes bashkëpunimit dhe heqjes së barrierave, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ecin përpara drejt integrimeve evropiane.

Diplomati bullgar deklaroi se vendi i tij vazhdimisht po tregon shembullin e bashkëpunimit me regjionet e tjera në infrastrukturë digjitalizimin e ekonomisë dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike në të ardhmen.

“Tani shteti im është pjesë e Unionit Evropian. Çelësi për të ardhmen është bashkëpunimi regjional. Shtetet perëndimore të Ballkanit duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duhet të heqin barrierat të tregtisë së mallrave për të përmirësuar infrastrukturën e brendshme rajonale dhe të punojë për rritjen s ociale dhe ekonomike të rajonit”, tha Gudjev, raporton KP.

Gudjev tutje tha se Bullgaria do të vazhdojë ta përkrahë shtetin e Kosovës në Bashkimin Evropian si shtet i pavarur duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

“Shteti im do të vazhdojë aktivisht për të përkrahur integrimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar si një shtet i pavarur dhe sovran duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Ne konsiderojmë që kjo të ketë rëndësi të veçantë dhe se nuk ka alternativë tjetër për integrimet evropiane për të gjithë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe jemi të lumtur që të dëgjojmë lajme të mira nga Brukseli për samitin e radhës që do të mbahet në Kroaci”, tha ai Gudjev.

Ai shpreson që Qeveria e re të rrisë bashkëpunimin dhe të krijojë kushte më të mira jetese për të gjithë shtetasit e saj.

“Jemi të bindur që Qeveria e re e Kosovës do të rrisë komunikimin dhe bashkëpunimin në nivelin bilateral dhe multilateral, dhe të punojë për të krijuar kushte më të mira të jetesës për qytetarët e saj duke përfshirë garancinë për edukim dhe profesionalizimin për të rinjtë. Kosova duhet të vazhdojë me reformat pasi qytetarët e saj meritojnë të jetojnë në kushte ku ligji, demokracia dhe prosperiteti janë të garantuara”, u shpreh diplomati Gudjev.

Të pranishëm në shënimin e Ditës Kombëtare të Bullgarisë ishin kryeministri Albin Kurti, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, shefi i diplomacisë Glauk Konjufca, si dhe mysafirë të tjerë të ftuar.

Ishte viti 1878, data 3 mars, ku një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua afër kryeqytetit të Perandorisë Osmane, Traktati i Shën Stefanit, Traktati i Paqes që i dha fund luftës midis Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, traktat i cili i shkëpuste Perandorisë Osmane 80% të territoreve të saj nga Gadishulli Ballkanik.

Pikërisht me Traktatin e Shën Stefanit, Bullgaria u çlirua nga sundimi pesë shekullor otoman. Kjo është një datë e shënuar për popullin bullgar, datë e cila evidenton luftën e popullit bullgar për pavarësi kombëtare. Ndaj 3 marsi shënohet çdo vit si festë kombëtare, si dita e Çlirimit të Bullgarisë, këtu e 141 vjet më parë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.