OPINION

Buka në “kohën e koronës”

Shkruan: Arsim CANOLLI
Në Kosovë, puna nuk ndalet edhe gjatë kësaj kohe të izolimit si masë parandaluese ndaj virusit COVID-19, apo virusit korona, siç thuhet më shpesh, por kujdesi është shtuar mjaft shumë. Ka mesazhe të shumta nga mjekët, nga institucionet, nga gazetarët, nga qytetarët: “rrini n’shpi”, “frikë jo, kujdes po”, “mbani distancë sociale”, “përshëndetuni me dorë n’zemër”, “lani duart”, “rrini pastër” (përkthim i keq !), “mos dilni, shpëtoni jetën” etj. Ekziston një mobilizim mjaft i madh për të mposhtur përhapjen e kësaj pandemie.

Nga ana tjetër, të gjithë kemi vërejtur se familjet po ngarendin për të blerë miell ku ka e ku s’ka, madje edhe duke rrezikuar e duke qëndruar në radhë e në truma para shitoreve e mullinjve, pa kujdesin e shtuar që rekomandohet sot.

Në supermarkete, raftet e miellit dhe kripës janë boshe, ndërsa ka mjaftueshëm gjëra të tjera. Shumica e familjeve s’kanë kapacitet të blejnë rezerva të tjera, të mbushin shtëpitë, sepse ushqimi në Kosovë është i shtrenjtë. Secili mendon se të paktën me miell (dhe me pak kripë e vaj) do t’ia dalë mbanë krizës eventuale të bukës, ndonëse duket se krizë për bukë (ushqim) nuk do të ketë.

Por, a duhet t’i gjykojmë shumë familjet?! A duhet t’i gjykojmë sidomos kryefamiljarët?! Disa kanë ende kujtesë të viteve ‘40 e ’50 dhe e njohin zinë e bukës. Ata e dinë çfarë do të thotë “ me metë pa bukë!”. Shumica kanë përjetuar vitet ’90 dhe mbajnë mend mbijetesën, kur sigurimi i miellit për një vit ka qenë esencial. Kohën e luftës së viteve ’98-‘99 e kanë edhe më të freskët të gjithë. Shumica thonë se gjatë asaj kohe, secili e ka “kallëzu fytyrën, u ditë kush asht kush!”.

Instinkti i sigurimit të bukës është kulturë e shqiptarëve, e kjo kulturë ka përvojë të hidhur, e kjo përvojë ka krijuar kujtesë. Kjo kujtesë objektivohet sot në performancë. Prandaj, secili dëshiron të sigurojë bukë për familjen e tij. Kam biseduar me shumë njerëz. Disa kanë blerë 100 kg miell, disa 50kg miell, disa 25 kg miell. Dikush s’ka blerë fare dhe blen në furrë apo shitore si zakonisht. Por, ata që blejnë nuk duhet gjykuar shumë. Ndoshta, për mënyrën se si rreshtohen e si përgatiten e sillen gjatë pritjes e blerjes, por jo për “mentalitetin” e tyre, sepse është e natyrshme.

Shumë prej tyre jetojnë në fshatra, nuk kanë furra afër dhe mielli iu duhet edhe për gatimet të tjera. Njerëzit e dinë se nuk është kohë lufte, por atyre u ka mbetur shprehia, u ka mbetur kujtesa. Ne të gjithë theksojmë se historia, tradita e kujtesa e formësojnë vetëdijen kolektive, i japin portret të caktuar një populli, një grupi shoqëror. Atëherë pse i gjykojmë aq shumë sot veprimet e familjeve të Kosovës që ngarendin për miell?!

Mos të harrojmë: ky popull është popull buknor, bukën e ka shenjën esenciale kulturore. Jam munduar të moralizoj për sjellje të qetë gjatë kësaj kohe edhe në familjen time, por prapëseprapë, mendja e secilit, sidomos e më të moshuarve, shkon te buka. Dhe, jo te përbërësit ushqimorë për gatime, por te buka që sigurohet nga blerja e miellit.

“Ma mirë me sigurue do miell!” është thënia kryesore sot. Pa dyshim, se është instinkt njerëzor dhe nevojë mbijetese, ruajtja e bukës/ushqimit për më vonë, krijimi i hambarit. Në fakt, antropologët na thonë se marrëdhëniet buknore na kanë bërë njerëz, njëherë me mishngrënien e pastaj me bujqësinë dhe ruajtjen e kulturës bujqësore. Këto instinkte primordiale shpërfaqen në kohë pasigurie. Frika e paniku e rrisin edhe më shumë pasigurinë dhe e kultivojnë ndjenjën më bazike të njeriut, kultin e hambarit.

Por, çka nëse s’mund ta sigurojmë miellin?! Çka nëse nuk mund të bëjmë hambar personal?! Çka nëse varemi në hambarin e tregut, që janë furrat e qytetit në këtë rast?! Në këso kohësh, institucionet shtetërore, publike dhe kompanitë private tregojnë fytyrën e tyre: si e menaxhojnë psikologjinë kolektive në raport me realitetin e shfaqur. Edhe institucionet shtetërore edhe kompanitë private kanë treguar një solidaritet mjaft të mirë në këtë aspekt. Si profesionistë, si institucionalistë, si afaristë, kanë treguar se do të qëndrojnë bashkërisht dhe pranë njëri-tjetrit. Kanë përfillur atë thënien: “bukë, kripë e zemër!”. Ka hapa të mirë dhe konkretë. Institucionet kanë marrë vendime. Bankat kanë marrë masa. Kompanitë vendore kanë marrë masa të mira. Shoqatat joqeveritare, po ashtu. Ekziston një mobilizim solidar. Duket sikur edhe në Kosovë po sigurohet një bashkëpunim efektiv për ta kaluar dramën e kohës së virusit korona me efekt më të vogël se sa mund të ketë kjo pandemi.

Nga raportimet duket se shumica e furrave anekënd qyteteve të Kosovës po sigurohen me miell për të ofruar qytetarëve bukën e përditshme. Kjo ngushëllon edhe ata që nuk ngarendin të presin shpinëpërshpine para shitoreve të miellit e mullinjve, që edhe ata edhe familjet e tyre të ndihen më rehat, më të sigurt. Por më bëri përshtypje një gjë gjatë javë së kaluar.

Duke dashur t’ia hedh një sy etnografik kësaj pune (pa pjesëmarrje!), kam biseduar me disa furrëtarë, kur kam shkuar të blejë bukë. Të gjithë thonë se kanë miell dhe se kompanitë po sjellin miell. Nuk frikësohen, nuk kanë rritur çmimet. Shërbejnë me buzëqeshje, si gjithmonë. Por, një pronar i një furre të vogël këtu në Prishtinë, më tha një gjë tjetër, që bëri përshtypje. “Jo neve s’na kanë sjellë miell. E kemi pasë një furnitor që na bike miellin e ai s’po na hapë telefonin. Bile kaloi ksajde e i pruni miell kësaj shitoresh ngat…edhe iku”. E pyeta se pse ka ndodhë kjo. Furrtari më tha: “Po e shesin ma shtrenjtë. Po vijnë njerëzit po lajmërohen te shitorja, tu iu thanë lemi “4 thasë, t’i jap 100 euro, lemi 3 thasë,” tu ju lanë pare, e pe shesin ma shtrenjtë se njerëzit po dojnë mu siguru, me pasë miellin. Qishtu!” Dhe, duke i ngritur vetullat më tha edhe këtë: “Po, pe shesin ma shtrenjtë tjetërku, se neve nuk guxojnë me na rritë çmimin, se kishe qyky vendimi i qeverisë mos me rritë çmimin…, as ne nuk guxojmë dhe nuk e rritim çmimin na ashtu-kështu… po nejse… na kemi hala edhe për 1 muaj a 2, se kemi pasë rezervë, plus kemi të kollomojtë, edhe pse s’pe dojnë të kollomojtë (të misrit)”. Para se të ndahesha me të më tha: “Mos kini dert se s’ju lamë pa bukë. Kemi hala rezerva te furra tjetër, kemi kalu kohë shumë ma të rana…kalon shpejt edhe kjo”. Shpirti i furrtarit hasjan! Mu kujtua thënia e Mehmet Tanës nga Gorozhupi i Hasit, me të cilin kam biseduar disa herë për bukën, ujin, kufinin e jetën, kur thoshte se hasjanët janë “furrtarë fuqitarë”!

Po. Ka edhe manipulime. Janë të pakta, por ka. Andaj është inkurajuese kur kompanitë private marrin masa për furnizimin e furrave. Kur ua lehtësojnë furrtarëve fuqitarë punën e shërbimin për të gjithë ne sot. Sepse ata po bëjnë punë të mrekullueshme. Po ashtu, ka edhe gjykime e përbuzje ndaj atyre që frikësohen. Ka lloj-lloj sjelljeje. Megjithatë, ajo që mbizotëron sot në Kosovë, është solidariteti i kompanive private, i atyre që sigurojnë tregun, ashtu sikur që është edhe solidariteti i institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare.

Në anën tjetër, posa kemi të bëjmë me karrigen apo shkamin e pushtetit, gjërat komplikohen sepse nefci i politikanëve, sidomos i atyre që djegin jorganin për një plesht, del në pah edhe në kohë krize. Por, kultura buknore e këtij populli duhet të na mësoj të gjithëve: si të sillemi me mikun, si të ndajmë bukën me tjetrin, si të mos prejmë mikun në bukë, si t’kthejmë bukë e si të ruajmë nderin e sofrës shtrueme, si t’sillen me “bukë, kripë e zemër”, pa manipuluar me asnjërën nga këto shenja të trinititet të kulturës buknore shqiptare.

Sepse solidariteti i shoqërisë shqiptare është solidariteti që buron nga buka, nga magjeja, nga sofra, nga kultura buknore e këtij populli. Kjo etikë ka mbizotërua gjatë e me siguri do të mbizotërojë ende. Siç thotë një fjalë popullore, “Zoti i nertë e i rujtë ata që e nderojnë bukën”, ashtu si duhet të nderohet, kudo ku janë e ku punojnë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.