Kosova

Britania e Madhe mbështet sektorin e arsimit në Kosovë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, priti sot zëvendësambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jacob Webber dhe zëvendësdrejtorin e British Council për Ballkanin Perëndimor, Angus Bjarnason, me të cilët ka biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në arsim.

Zv/ambasadori britanik e uroi ministren Bajrami për detyrën e re dhe theksoi se Britania e Madhe do të vazhdojë ta mbështesë arsimin në Kosovë. 

Ndërsa, zv/drejtori i British Council e ka informuar Ministren rreth projektit rajonal “Shkollat e shekullit 21”, i cili financohet nga Mbretëria e Bashkuar në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndër të cilat edhe Kosova, ku projekti ka filluar në tetor të vitit 2018, si dhe për aktivitetet dhe të arriturat që janë realizuar deri më tani në kuadër të projektit.

Ministrja Bajrami falënderoi Britaninë e Madhe për mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e arsimit në Kosovë, ndërsa theksoi se projekte si “Shkollat e shekullit 21” janë shumë të rëndësishme dhe i kontribuojnë ngritjes së cilësisë në arsim. Ajo përmendi disa pika të programit qeveritar për arsimin dhe theksoi nevojën e përkrahjes së mëtutjeshme të partnerëve zhvillimor për ta përmirësuar gjendjen në arsim. /Kosova.info/