Bregu: Fuqizimi ekonomik i grave nuk është luks

Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka folur për gratë, të cilat vazhdojnë të përballen me pabarazitë dhe diskriminim në të gjitha fushat e jetës ekonomike.

Bregu ka theksuar se nënave në Ballkanin Perëndimor u mungojnë ndjeshëm ndihmesa e shërbimeve ndaj kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, gjë që ndikon në punësimin e tyre.

“Vetëm 24% e nënave me fëmijë nën moshën 8 vjeç mund të përdorin kopshtin. Më pak shërbime të kujdesit do të thotë më shumë gra të papuna. Shkalla e punësimit të grave në Ballkanin Perëndimor, edhe pse është rritur në 3 vitet e fundit, është ende rreth 45%, dhe krahasohet dobët me shkallën e punësimit të meshkujve në rajon, e cila është rreth 63% për qind”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, fuqizimi ekonomik i grave nuk është një luks dhe relativizmi kulturor nuk është një justifikim.

“Ballkani Perëndimor humbet 5% të PBB-së së tij çdo vit për shkak të hendekut që krijon pjesëmarrja e grave si sipërmarrëse, ndërsa mund të jetë 20% më i lartë nëse gratë do të merrnin pjesë në tregun e punës në të njëjtin nivel me burrat. Është befasues fakti që perceptimet mbi aftësitë ekonomike të grave janë kaq të kufizuara duke pasur parasysh ndikimin e thellë që ka puna e grave në ekonomitë tona”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, mungesa e punës, mbrojtja nga ligji, mbështetja e ulët sociale, mungesa e ambienteve të përkujdesjes, aksesi i kufizuar në burimet prodhuese i pengojnë gratë të vënë në punë aftësitë e tyre, për të përfituar nga mundësitë e reja të punësimit.

“Sa më pak të fuqizuara të jenë gratë aq më shumë fuqizohet dhuna ndaj tyre.
Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, gratë ngacmohen, përdhunohen, dhunohen dhe vriten, shpesh nga partnerët e tyre edhe pasi e kanë raportuar vazhdimisht dhunën tek autoritetet.
Statistika të tilla të zeza vazhdojnë e vazhdojnë, dhe janë edhe të paplotësuara por të dhënat e disponueshme janë tmerruese”, ka thënë ajo. /Kosova.info/

Go to TOP