Bota

Brazili kërcënon me largim nga OBSh-ja

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka kërcënuar me largim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pak javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për ndërprerjen e marrëdhënieve të ShBA-së me OBSh-në.

Brazili është vendi i tretë në botë me numrin më të madh të vdekjeve nga koronavirusi.

Duke iu bashkuar debatit për pandeminë, origjinën e saj dhe mënyrën më të mirë për t’iu përgjigjur, Bolsonaro ka kritikuar OBSH-në për pezullim të testimeve klinike të ilaçit hidroksiklorikinë për COVID-19 – vendim i kthyer këtë javë – dhe ka kërcënuar se do të ndjekë hapat e Trumpit duke u larguar.

“Po ju them tash, ShBA-ja e ka lënë OBSh-në, dhe ne jemi duke e menduar këtë, në të ardhmen. Ose OBSh-ja do të punojë pa paragjykime ideologjike, ose do të largohemi, po ashtu”, ka thënë lideri i së djathtës në një konferencë për media.

Bolsonaro, i quajtur “Trumpi Tropikal”, ka ndjekur hapat e presidentit amerikan në betejën me koronavirusin, duke ulur fillimisht pritshmëritë për rreziqet, e më pas duke kritikuar masat për izolim.