EKONOMI

BQK sqaron se nuk ka shtyrje të re të afatit të pagesës së kësteve të kredive

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se vendimi lidhur me pagesën e kësteve të kredive nuk ka ndryshuar.

“Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dëshiron të sqarojë edhe njëherë se nuk është marrë asnjë vendim i ri për shtyrje të serishme të afatit të pagesës së kësteve të kredive.
Edhe njëherë sqarojmë se në fuqi mbetet vendimi që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore për shkak të Covid 19”, thuhet në kumtesë.

“Sikurse kemi informuar edhe më herët, gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues, nuk do të aplikojnë ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe BQK-ja nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra. Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore apo më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe”.

“BQK-ja kërkon nga institucionet kredidhënëse të zbatojnë këtë kërkesë, me qëllim të lehtësimit dhe të ruajtjes së likuiditetit të kredimarrësve”.