Rajoni

Boris Milosheviq, politikani që ndau serbët

Deri para dhjetë ditësh, pakkush e njihte në Serbi Boris Milosheviqin, i cili tashmë ka ndarë serbët.

Ai është serbi i parë që ka marrë në përvjetorin e shënimit të aksionit “Stuhia”, përmes të cilit më 1995, ushtria kroate çliroi tërësisht vendin, duke e shkatërruar atë që njihej si Republika e Krahinës Serbe.

Operacioni “Stuhia” vlerësohet nga kroatët si momenti më kulmor i luftës për çlirim, ndërkohë që Serbia e konsideron si krim mbi qytetarët serbë që jetonin në atë pjesë të Kroacisë. Serbët pretendojnë se nga 4 deri më 7 gusht 1995, nga ajo pjesë u dëbuan mbi 250.000 serbë dhe u vranë shumë të tjerë.

Milosheviq, si një serb i lindur në Kroaci, deputet dhe zv.kryeministër i këtij vendi, vendosi të marrë pjesë sivjet në shënimin e këtij operacioni.

Ai tha se pjesëmarrja e tij në këtë përvjetor i kontribuon të ardhmes më të mirë mes dy komuniteteve në Kroaci dhe më gjerë. Ceremonia u mbajt sot.

“Le të prishet spiralja e urrejtjes në mënyrë që tmerret e luftës të mos ndodhin më kurrë. Të gjitha viktimat, pavarësisht kombësisë, duhet të respektohen. Serbët nga Kroacia gjithashtu kishin viktimat e tyre dhe kjo duhet të respektohet. Emocionet janë ende të freskëta dhe unë e konsideroj ardhjen time si angazhim për të ardhmen”, tha zëvendëskryeministri Boris Milosheviq.

Por serbët në Serbi dhe mediat e këtij vendi e kanë “kryqëzuar”, duke e quajtur tradhtar. Në rrjete sociale e media po qarkullojnë shumë fotomontazhe, ku fotoja e Milosheviqit është vënë te kolonat e serbëve që më 1995 u larguan nga Knini dhe qytete tjera të Kroacisë.

“Është e rëndësishme që serbët nga Kroacia tek ‘Stuhia’ të mos shohin vetëm eksodin e popullit të tyre”, ka thënë kryeministri kroat Andrej Plenkoviq.

Ai ka lindur në Shibenik më 1974, ka studiuar në Rjekë për drejtësi. Nga viti 2002 ka punuar në Gjykatën e Benkovcit, kurse më 2008 është përfshirë në skenën politike. Më 2012, ishte emëruar zv.ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Më 2016 u zgjodh deputet në Kuvendin e Kroacisë si anëtar i Këshillit Popullor Serb.

Mediat në Serbi shkruajnë se i ati i tij ishte pjesëtar i ushtrisë kroate gjatë luftës.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483