Kosova

Boris Jonson i dërgon telegram, ndërsa Marjan Šarec një letër

Zyra për Komunikim me Publikun ka njoftuar se Kryeministri Albin Kurti ka pranuar një telegram urimi nga Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Jonson, me rastin e zgjedhjes së tij si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër, homologu slloven Marjan Šarec e uron me rastin e 12 vjetorit të pavarësisë – shkruan Kosova.info

Në telegram, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, shkruan:

“I nderuari Kryeministër,

Dëshiroj t’ua shpreh urimet e mia më të sinqerta në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për emërimin tuaj si Kryeministër i Kosovës.

Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është fuqishëm e përkushtuar për ta mbështetur integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

Mezi presim të punojmë së bashku si partnerë në mënyrë që Kosova dhe rajoni më i gjerë të jenë të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Për këtë qëllim, ne mbështesim fuqishëm agjendën tuaj të brendshme për të luftuar korrupsionin, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.”

Ndërsa në letrën e Kryeministrit slloven Marjan Šarec, thuhet:

“Shkëlqesia juaj,

Me rastin e ditës së pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta juve, qeverisë tuaj dhe popullit të Kosovës, dhe ju uroj të gjitha të mirat drejt përparimit të gjithanshëm të vendit tuaj.

Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit më të fortë ekonomik dhe institucional, përparimit dhe stabilitetit, gjithmonë në të mirë të popullit të vendit tuaj. Më lejoni gjithashtu të riafirmoj mbështetjen e Sllovenisë lidhur me përpjekjet tuaja për të përparuar në rrugën drejt integrimit euro-atlantik.

Ju lutem pranoni, Shkëlqesia juaj, sigurimet e konsideratës dhe vlerësimit tim më të lartë.”/Kosova.info/