Adem Demaçi, ishte shkrimtar e publicist, humanist, simbol i dinjitetit, rezistencës sonë kombëtare për liri, sovranitet dhe bashkim kombëtar.

Në vijim paraqesim në mënyrë përmbledhëse jetën dhe veprën e Adem Demaçit. Adem Demaçi, biri i Zeqir dhe Nazife Lahut-Demaçit,  u lind më 26 shkurt të vitit 1936 në Prishtinë.  Ende pa i mbushur 8 vjet nga sëmundja e tuberkulozit i vdiq babai Zeqiri, kështu që ai, bashkë me nënën Nazifen dhe motrën Ajshen, mbetën nën përkujdesjen e vëllait Maliqit. Mirëpo, pas 5 viteve, po nga tuberkulozi i vdiq edhe vëllai Maliqi dhe barra e mbajtjes së familjes  i mbet nënës Nazife, e  cila i rriti dhe i edukoi me shumë mundime Ademin dhe Ajshen.

Shkollën fillore dhe Gjimnazin real e kreu në Prishtinë, kurse vazhdoi studimet në Katedrën  e Letërsisë Botërore në Universitetin e Beogradit. Mirëpo, pas 5 semestrash studimesh, ai u detyrua që ti ndërpresë ato dhe të kthehet në Prishtinë për shkak që duhej të kujdesej për nënën e tij të sëmurë Nazifen, kurse babai Zeqiri i kishte vdekur, kur ai kishte vetëm 5 vjet.

Demaçi, arriti të punësohet në Ndërmarrjen Gazetareske dhe Botuese “Rilindja”. Herët filloi të merret me veprimtari letrare, i mbështetur nga kolosi i kulturës shqiptare Esad Mekuli. Nën përkujdesjen e tij kishte botuar një varg tregimesh dhe romanin me ndikim më të madh në Kosovë “Gjarpinjtë e gjakut”.

Për shkak të veprimtarisë atdhetare, Adem Demaçi, do të burgoset në vitin 1958 dhe dënohet me 5 vite burgim të rëndë. Burgoset edhe 2 herë të tjera, në vitin 1964 dhe në vitin 1975. Në të dyja herët Adem Demaçi dënohet me nga 15 vjet burg.

Pas 28 vitesh nëpër kazamatet jugosllave, Demaçi më 21 prill të vitit 1990  lirohet nga burgu dhe kthehet në Prishtinë. Mirëpo, e gjen Kosovën, ashtu siç kurrë nuk kishte dëshiruar ta shoh. Dhe ai konsideron se ka dalë nga një burg i vogël dhe ka ardhë në burgun më të madhin në Evropë, në burgun e 2 milion njerëzve. Adem Demaçi, ishte shkrimtar e publicist, humanist, simbol i dinjitetit, rezistencës sonë kombëtare për liri, sovranitet dhe bashkim kombëtar, si dhe personalitet i rrallë përmasash kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si themelues i Lëvizjes sonë Kombëtare,  e krijoi opozitën e parë të pasluftës së Dytë Botërore në Kosovë – Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Qëllimi i parë dhe i fundit i kësaj lëvizje, si shkruan në Statutin e saj,  ishte çlirimi i krahinave shqiptare të aneksuara prej Jugosllavisë dhe bashkimi i tyre me nënën e vet – Shqipërinë.  Ai për shkak kësaj veprimtarie burgoset, por edhe nga burgu do të jetë promotor i demonstratave të vitit 1968 në Kosovë dhe në hapësirat shqiptare në ish-Jugosllavi.

Me emrin e tij si simbol i lirisë do të bëhen edhe demonstratat gjithëpopullore të pranverës së vitit 1981, pranverë kjo që përfundimisht do ta radhisë popullin e Kosovës në kahjen e shtetformimit.Pas 28 vitesh burgje të rënda, atij do ti duhej sërish, tani, si shprehet vet: Kur Kosova sërish u vu nën regjim policor e ushtarak serb, kur Beogradi zyrtar dirigjohej nga kasapi i Ballkanit Millosheviq, të bëjë sakrifica të reja, jo rrallë i pakuptuar as nga populli i vet e as nga faktori ndërkombëtar.

Një një periudhë shumë të vështirë për popullin e Kosovës, Adem Demaçi do të drejtojë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, duke demaskuar para botës, politikën e dhunës, të terrorit e të diskriminimit nga Beogradi ndaj shqiptarëve.

Ndërkaq, kur u pa përfundimisht se Kosova nuk mund të çlirohet pa luftë të armatosur nga Serbia, që në krijim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi mu në mes të Prishtinës do të hapë zyren e tij dhe do të veprojë Përfaqësues i përgjithshëm politik i kësaj ushtrie. Kështu, ai do të luftojë me argumente të fuqishme përpjekjet e Serbisë dhe të aleatëve të saj në krye me Rusinë për ta radhitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në mesin e organizatavë terroriste dhe do ti hapë rrugën e legjitimimit në arenën ndërkombëtare si forcë çlirimtare.

Sa me veprimtarinë e tij patriotike, aq edhe me veprimtarinë e tij letrare e publicistike, Adem Demaçi, do të frymëzojë brezni të tëra në Kosovë dhe jashtë Kosovës, për tu vënë në shërbim të zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe për realizimin e kauzës sonë kombëtare.  Në botën demokratike shqiptare, ashtu edhe në qendrat e vendosjes ndërkombëtare, do të gjenden institucione dhe personalitete me fuqi për ta nderuar personalitetin dhe veprën përmasash botërore të Adem Demaçit me çmime dhe mirënjohje të larta.

Demaçi do të marrë çmimin më të lartë të Parlamentit Evropian SAKHAROV, kurse Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid, do ti ndajë Adem Demaçit Çmimin special për paqe dhe për luftë kundër racizmit dhe ksenofobisë. Ndërkaq, Amnesty International, do tia pranojë atij stausin e të burgosurit të ndërgjegjes. Kështu, jo vetëm në opinionin ndërkombëtar, por edhe në atë shqiptar, Adem Demaçi do të quhet Mandela i Kosovës.

Nga institucionet vendore dhe kombëtare, Adem Demaçi, do të nderohet me këto mirënjohje të larta: Universiteti i Prishtinës do ta shpallë Doktor Honoris Causa. Ndërkaq, nga Presidenti i Kosovës Heroi i Kosovës dhe nga  Presidenti i Shqipërisë do të dekorohet me Urdhërin Nderi i kombit.

Ky personalitet i rrallë i letrave shqipe, me ndikim vendimtar në ndërgjegjen kombëtare, ka botuar 10 vepra moderne letrare dhe do të bëhet kështu një prej personaliteteve të rralla shqiptare, që do të rrezatojë dhe do ti pranohen vlerat  gjithënjerëzore.   Ai, përherë ishte në shërbim të interesave kombëtare, i gatshëm edhe për tu sakrifikuar për lirinë e popullit tonë. Adem Demaçi, padyshim mbetet personaliteti i veçantë, më i guximshëm dhe më i pathyeshëm i popullit shqiptar në historinë tonë më të re.

Demaçi ishte frymëzues edhe i gazetarëve, të cilët në rrethana okupimi rrezikuan shumëçka për informim  objektiv, fjalën e lirë dhe mobilizimin e popullit në rrugëtimin e tij të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë. Vepra e tij, do të jetojë gjithmonë dhe do të përkujtohet nga ne dhe brezat e ardhshëm.

(Përgatiti: Nuhi Bytyçi)