KULTURË

Bob Dylan zgjeron biznesin e uiskit me distileri dhe qendër të arteve

Bob Dylan ka plane ambicioze për ta zgjeruar biznesin e vet të uiskit duke e hapur një kompleks distilerie me një qendër të artit në Nashville të Tennessee.

Ikona e folk rokut hyri në biznesin e uiskit vitin e kaluar me kompaninë e tij “Heaven’s Door Spirits”, dhe tani ka njoftuar plane për ta hapur distilerinë vitin e ardhshëm.

Përveçse e bën pijen atje, ai ka në plan ta rinovojë zonën historike Elm Street Church, ku do të ekspozohen pikturat dhe skulpturat e tij. Vizitorët do të mundë ta shikonin live muzikën në një vend me 360 ulëse, ta vizitojnë një bibliotekë të uiskit ose ta bëjnë një turne me udhërrëfyes në distileri.

Duke i paralajmëruar planet në një deklaratë për shtyp, drejtori ekzekutiv i Heaven’s Door Spirits, Marc Bushala, tha: “Nashville është shtëpia natyrale e distilerisë Heaven’s Door dhe Elm Street Church është një shtëpi e përshtatshme për veprat e artit vizual të Dylan”, përcjell KOHA Ditore.

Publikimi i planeve të reja për distileri në Nashville të martën erdhi në kohën e duhur për të përkuar me 50-vjetorin e albumit të Bob Dylan nga viti 1969, “Nashville Skyline”, në të cilin përfshihej hiti ikonik i 77-vjeçarit “Lay Lady Lay”, dhe dueti me Johnny Cash./Kosova.Info/