Bota

Bllokohen 112 kilogramë marijuanë në Greqinë Veriore

Policia greke tha se një 36-vjeçar shqiptar u arrestua me 112 kg marijuanë në Greqinë Veriore, afër kufirit me Shqipërinë. Lënda narkotike u bllokua në një automjet që po udhëtonte në zonën e Metamorfozit të Janinës, në Rrugën Kombëtare Janinë-Kozani.

Sipas policisë greke marijuana ishte fshehur në 46 paketa në brendësi të makinës. Policia greke tha se personi i arrestuar ishte në kërkim policor nga Greqia për një çështje që lidhej më parë me narkotikët. Dy ditë më parë një tjetër sasi marijuane ishte bllokuar nga policia greke në Arta po në një automjet dhe ishin arrestuar dy shtetas grekë për transportimin e saj. Policia greke tha se vetëm gjatë qershorit në zonën e Epirit, fqinje me Shqipërinë janë bllokuar 237 kilogramë marijuanë ndërsa 39 persona janë arrestuar. Sasia më e madhe e marijuanës përfundon në Greqi nga kufiri shqiptar përmes kufirit tokësor apo mjeteve të transportit.

Terreni i kufirit është mjaft i thyer dhe trafikantët përdorin metoda të ndryshme për të futur sasitë e narkotikëve buzë kufirit dhe më pas për t`i transportuar në thellësi të rajoneve greke.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483