Blinken: Rrjedha Veriore 2, një projekt gjeopolitik rus

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se gazsjellësi Rrjedha Veriore 2, është një projekt gjeopolitik rus që minon sigurinë e Ukrainës.

Gazsjellësi do të rrisë eksportet e gazit rus në Gjermani.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media të mërkurën (23 qershor) në Berlin së bashku me homologun e tij gjerman, Heiko Maas.

Shtetet e Bashkuara, sipas Blinkenit, duan të sigurohen se Rusia nuk po e përdorë energjinë si një mjet ndikimi ndaj ndonjë shteti evropian.

Uashingtoni është kundër ndërtimit të gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 përmes së cilit do të dyfishohej eksporti i gazit rus përmes Detit Baltik.

Projekti është 95 për qind i përfunduar dhe i mundëson Rusisë që të kufizojë eksportet e gazit përmes Ukrainës, pasi pamundëson që Kievi të mbledhë tarifat e tranzitit.

Gjermania ka thënë se kjo është një çështje e brendshme dhe se do t’i shkojë deri në fund projektit.

Ministri i Jashtëm gjerman, Maas tha se Berlini dëshiron një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

“Ne i dimë qëndrimet e Uashingtonit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të arrijmë rezultate të cilat do të kenë mbështetjen edhe të Uashingtonit”, tha Maas.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP