SPORT

“Blick” shkruan për 22 lojtarë kosovarë në top-ligat zvicerane, por numri është më i madh

Gazeta e madhe zvicerane, “Blick”, ka shkruar të shtunën për numrin e madh të futbollistëve të Kosovës në dy ligat kryesore të Zvicrës. Sipas Blick vetëm Franca ka më tepër se Kosova lojtarë në dy kategoritë e para të Zvicrës.

Franca i ka 28 lojtarë (16 në Superligë e 12 në kategorinë e dytë), ndërsa Kosova plot 22 (8 në Superligë e 14 në kategorinë e dytë). Pason Brazili me 15 lojtarë.

Por në fakt shumë më tepër futbollistë nga Kosova luajnë në dy kategoritë e para të Zvicrës. Gazeta e madhe zvicerane nuk i ka përfshirë të gjithë. Për shembull nuk janë përfshirë lojtarë kosovarë që luajnë për Zvicrën apo që edhe ndonjë që nuk është pjesë e ekipeve përfaqësuese. Kjo nënkupton se numri i futbollistëve kosovarë në dy kategoritë kryesore të Zvicrës është dukshëm më i madh. Madje më i madh se i Francës, raporton Koha.net.

22 është numër goxha i madh, ka shkruar Blick, që ka bërë pyetje nëse Kosova është vend i futbollit.

“Ky sport ka qenë mjaftë i popullarizuar në ish-Jugosllavi”, ka thënë Idriz Voca, mesfushor i Luzernit. “Dhe tani në përfaqësuese të gjithë janë shumë euforik. Unë po shikoj para për ndeshjet e marsit”, ka shtuar Voca, që është reprezentues i Kosovës.

“Shumë njerëz që janë larguar nga lufta janë vendosur këtu në Zvicër”, ka thënë Hekuran Kryeziu i Zuerichut, duke dhënë shpjegime për numrin e madh të futbollistëve kosovarë në shtetin helvetik.

Bashkimi i talentit të kosovarëve me kushtet në Zvicër ka garantuar suksesin.

“Kosova është vend i çmendur pas futbollit. Zvicra ka kushtet më të mira për stërvitje në Evropë. Temperamenti i Ballkanit dhe stërvitjet e Zvicrës përshtaten shumë mirë”, ka thënë Kryeziu, që është prej lojtarëve kryesorë te Kosova.

Sipas tij, Zvicra është vend model për Kosovën në aspektin e futbollit. Ai ka thënë se pos Kosovës, kosovarët e përkrahin edhe Zvicrën. Zvicerani Bernard Challandes vlerësohet shumë lart për punën që po e bënë me përfaqësuesen e Kosovës.

Voca ka thënë se synim i Kosovës është kualifikimi në Evropian.

Idriz Voca, Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu, Edon Zhegrova, Mirlind Kryeziu, Arbenit Xhemajli, Shkëlqim Demhasaj, Çëndrim Kameraj janë kosovarët e Superligës së Zvicrës, sipas Blick. Nuk janë përfshirë lojtarë si Kemal Ademi, Orges Bunjaku, Taulant Xhaka, Elis Isufi, Jozef Pukaj, Samir Ramizi, Liridon Mulaj, Kastriot Imeri, Ermir Lenjani, Adonis Ajeti, Betim Fazliji e Toni Domgjoni. Të gjithë këta janë në listën e klubeve të Superligës së Zvicrës.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483