Kosova

Blair me videomesazh uron Kosovën në përvjetorin e çlirimit

Ish-kryeministri, Tony Blair, ka uruar kosovarët për përvjetorin e 20-të të çlirimit nga Serbia.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka publikuar një video të Blair, ku ai ka uruar kosovarët.

“Tony Blair, ish-kryeministri britanik, ka dhënë kontribut shumë të madh për lirinë tonë. Në shenjë të falënderimit dhe respektit të madh që populli ynë ka për të, sot shumë të rinj kosovarë me krenari e bartin emrin e tij. Kosova, populli ynë, asnjëherë nuk i harron miqtë. Faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën! Faleminderit edhe për këtë videomesazh! HTH”, ka shkruar Thaçi.

Blair në adresimin e tij ka theksuar se arritja e paqes është e vështirë por se beson në njerëzit e Kosovës për të zgjidhur sfidat dhe problemet.

“Në vitin 1999 NATO mori një vendim stoik të intervenojë për të parandaluar humbjen e jetëve në Kosovë, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe në gjithë Europën”.

“Nuk ka qenë një vendim i lehtë assesi dhe ju përkushtoj respekt lidershipit kosovar dhe përpjekjes për të siguruar praninë e OKB-së në Kosovë”.

“E vlerësoj lartë udhëheqjen e Bill Clinton dhe vendimin për të sjellë forcat paqeruajtëse për kthimin e sigurt të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në gjithë regjionin”.

“Ne e dimë se sa e vështirë rruga drejt progresit dhe paqes, por ne gjithashtu besojmë që njerëzit në Kosovë dhe në rajon kanë kreativitet për të adresuar dhe zgjidhur shumë sfida. Krijimi i një paqe të qëndrueshme merr kohë dhe punë të zellshme”.

Blair që ka qenë ndër figurat kyçe për çlirimin e Kosovës tha se sikurse para 20 vjetëve edhe sot është pranë kosovarëve.

“Kemi qenë në anën e juaj edhe para 20 vjetësh dhe ende jemi në anën tuaj. Ju duhet që të ndërtoni vendin tuaj brenda familjeve të kombeve të Europës. Unë kam bindje se ky vizion do të jetë i plotë për qytetarët e Kosovës”.

“Ne qëndrojmë me ju, ju përshëndesim dhe ju falënderojmë ”.