KULTURË

Bjondi Berisha mahnit jurinë e publikun në “The Voice Kids” në Gjermani

“Një zë unik, kristal dhe i ngrohtë, me një pjekuri dhe shtrirje të jashtëzakonshme!”, janë komentet e jurisë së spektaklit “The Voice Kids”, në Gjermani për performancën e kosovarit Bjond Berisha.

Dymbëdhjetëvjeçari, i cili jeton në Gjermani e ka sfiduar veten në garën e talenteve të reja muzikore, duke interpretuar një këngë të këngëtarit anglez Sampha (SAMFA).

Bjondi deri në fund të performancës i mbajti sytë mbyllur, ndërkohë paraqitja e tij në rrethin e parë të edicionit të tetë të kësaj gare muzikore, është vlerësuar pozitivisht nga juria.

“Bjondi e përshkruan veten si mjaft të trembur. Por kur trajnerët e favorizuan atë, tensioni u qetësua”, është përshkrimi që e shoqëron performancën në kanalin Youtube.

Trajnerja Lena Meyer-Landrut, e cila për herë të gjashtë ka zënë vend në karrigen e nxehtë të këtij talent show, nuk i ka kursyer fjalët e mira për djaloshin kosovar.

“Ti je aq larg dhe aq i zhvilluar me zërin tënd dhe ke një teknikë të mrekullueshme vokale. Unë jam një adhuruese e madhe e kësaj kënge, ndiej se Semfer është një artist i jashtëzakonshëm dhe ti ke qenë në gjendje ta interpretosh aq bukur. Ishte shumë, shumë bukur. Shumë faleminderit!”, u shpreh ajo.

Max Giesinger, anëtari tjetër i jurisë thotë ta ketë shtangur këndimi i Bjondit.

“Unë jam kthyer pasi zëri yt më është dukur jashtëzakonisht i pjekur. Ku e merr këtë thellësi, këtë ngrohtësi. Unë pata një moment kur më paralizove saqë i thashë Flos pse nuk po e prekim butonin. Ai më ka shikuar vërtet me panik, ishte një shikim sikur është në shok. Nuk po mund të lëvizja më trupin vërtet, pasi këndove në mënyrë të shkëlqyeshme. Çfarë zëri, thellësie dhe ngrohtësie. Faleminderit që je këtu!”, u shpreh Giesinger.

Bjondi Berisha jeton afër Mynihut, ndërkohë ai përmes telefonit shkurtimisht i ka thënë Kohavisionit se për shkak të masave të ndërmarra për koronavirusin është duke qëndruar i mbyllur në shtëpi dhe kohë pas kohe është duke ushtruar për t’u paraqitur në garën e raundit tjetër të “The Voice Kids”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.