Kombëtare

Bizneset në Orllan refuzojnë të pushojnë të dielave

Të papranueshëm po e konsiderojnë pronarët e disa dyqaneve të fshatit Orllan, Rregulloren për orarin e punës së bizneseve në Komunën e Podujevës, e cila e ndalon punën të dielave.

Fshati, shkaku edhe i liqenit të Batllavës vizitohet kryesisht vikendeve, dhe të dielave pronarët thonë se kanë punë më shumë se në ditët e tjera të javës, raporton KOHA.

Ata shprehen të gatshëm të pushojnë cilëndo ditë tjetër, vetëm t’u lejohet të punojnë të dielave.

“Kur e kam lexuar Rregulloren dhe e kam parë që Orllani është hy në atë Rregullore që të mos punohet të dielave, duke e pas parasysh edhe faktin që Komuna e Podujevës e ka bërë një punë të mirë duke e hartuar një strategji për zhvillimin e turizmit në gjithë Komunën e Podujevës e në veçanti për Orllan, duke i parë potencialet, vërtet ka qenë shqetësuese se si është e mundur që në Orllan të mos punohet të dielave”, ka deklaruar Rexhep Zeka, pronar i “Market Galabi”.

Për këtë ata e kanë dorëzuar edhe një peticion në administratën komunale me nënshkrime edhe të banorëve.

“Kemi ba një peticion për Komunën, të dielën me na lejua me punua, sepse është vend turistik në Orllan edhe atje s’kanë bukë ku me ble, edhe qytetarët kanë ba peticion me neve. Artikuj deficitarë nuk kanë ku me marrë”, ka thënë Imer Azemi, pronar i “Market Turizmi”.

Kundër vendimit që të mos punohet të dielave është edhe Rizah Sylejmani, pronar i “Market Riza”.

“Ne dy herë kemi bërë kërkesë në Komunën e Podujevës që mundësisht të na lejohet që të punojmë të dielave, për arsye se vendi jonë Orllani ka shumë vizitorë dhe njihet si vend turistik. Për atë arsye ne kemi kërkuar që të punojmë të dielën dhe kemi kërkuar atyre që çfarëdo dite tjetër të javës ne do ta marrim pushim, vetëm që të na lejojnë të punojmë”, ka thënë Riza.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës, thonë se e kanë formuar një grup punues, i cili do të shohë mundësinë e plotësim-ndryshimit të Rregullores në fjalë.

“Ky grup punues, që përbëhet nga 3 anëtarë të Kuvendit – këshilltarë dhe 2 anëtarë të ekzekutivit-një drejtor dhe një zyrtar do t’i shqyrtojë mundësitë se si mund të zgjidhet ky problem në mënyrë që t’u dilet në ballë atyre bizneseve”, ka deklaruar Nazmi Elezi, zëdhënës në Komunën e Podujevës.

Rregullorja e re për orarin e punës së bizneseve në Komunën e Podujevës është miratuar në fillim të këtij viti.

Pronarët e dyqaneve thonë se nëse Rregullorja u nënshtrohet të gjitha procedurave për plotësimin e saj, atëherë nuk do të mund ta zënë këtë sezon veror.

Shfaq më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.