EKONOMI

Bizneset e Podujevës shprehin shqetësimet për pengesat e mëdha të të bërit biznes

Bashkëbisedimi me bizneset për problematikat me të cilat po përballen gjatë operimit të tyre dhe prezantimi i propozimeve që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka përgatitur për Qeverinë e re, ishte qëllimi kryesor i aktivitetit “Kafja e mëngjesit me bizneset” e regjionit të Podujevës.

Fillimisht kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi theksoi rëndësinë e organizimeve të përbashkëta të kësaj natyre, ku potencoi se bizneset mund te shprehin të gjitha shqetësimet e tyre, ku më pas do të adresohen nga OAK dhe do të lobohet për arritjen e zgjidhjeve konkrete. Krasniqi gjithashtu shpalosi një nga një pikat të cilat OAK i ka përgatitur si rekomandime për Qeverinë e ardhshme e të cilat duhet të merren parasysh në mënyrë që të krijohen lehtësira për bizneset dhe të përmirësohet klima aktuale e të bërit biznes në vend.

Gjatë diskutimit të hapur bizneset patën rastin që të ngrisin disa nga shqetësimet që hasin gjatë procesit të punës.

Pronari i biznesit “DUGLAS”, Sinan Sfishta theks të veçantë i kushtoi çështjes së funksionimit të gjykatave, të cilat marrin kohë vite të tëra për të reaguar ndaj një çështje të ngritur nga bizneset. Duke vazhduar që si biznes prodhues që janë kanë mungesë të përkrahjes nga ana e institucioneve të vendit.

Përfaqësuesi i biznesit “LABERION” Naim Osmani theksoi se ligji për tregti të brendshme si dhe ligji për TVSH është më se i nevojshëm për bizneset e Kosovës, në mënyrë që ato të mos hapen pa analiza paraprake dhe të mos dëmtojnë bizneset ekzistuese.

Pronari i biznesit “EING COM” Eljesah Podvorica që merret me ndërtim, përgëzoi për organizimin dhe theksoi faktin që komuna e Podujevës ka mungesë të projekteve të mirëfillta të kësaj veprimtarie.

Pronarja e biznesit “MC UNIT” Afërdita Gashi veçoi rëndësinë e përkrahjes së bizneseve fillestare, sidomos 2 vitet e para të cilat është e rëndësishme që të lirohen nga obligimet në ATK në mënyrë që të kenë hapësirë për të operuar, e të cilat pastaj mund të vlerësohen në bazë të qarkullimit të tyre, por jo të hyjnë menjëherë në obligime.

Pronari i biznesit “ADRIATIKU SHPK” Enver Shabani, biznes që merret me ndërtime të larta problem kyq theksoi se është energjia elektrike, dhe investimevet vetanake për të cilat detyrohen bizneset që t’i realizojnë. Gjithashtu, si problematikë tjetër theksoi edhe çështjen e tatimit në pronë, që bizneset obligohen të paguajnë ende pa u bërë pranimi teknik i objekteve.

Ndërsa pronari i biznesit “MBULOJA SHPK” Selman Sfishta theksoi problemet me të cilat përballet ai si biznes i sektorit të tjegullave dhe ballafaqimin me konkurencën jolojale në treg.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skender Krasniqi – Kryetar bordi në OAK, Qendresa Ibrahimi – Koordinatore, dhe Vanesa Gashi – Zyrtare në OAK. Ndërsa pjesëmarrës të bizneseve ishin: Sinan Sfishta – “Duglas”, Selman Sfishta – “Mbuloja”sh.p.k, Eljesah Podvorica – “EING COM” sh.p.k, Latif Muqiqi dhe Avdi Restelica – “Ard Frigo”, Enver Shabani – “Adriatiku” sh.p.k, Lavdim Maloku – “Lirimi”sh.p.k, Mersina Salihu – “Radio Taxi Llapi”, Lulzim Salihu – “Radio Taxi Meritoni”, Naim Osmani – “Laberion”, Arsim Berisha – “Construct”sh.p.k, Ajshe Gashi, Aferdita Gashi dhe Arton Bullatovci – “Mc Unit” sh.p.k. /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.