EKONOMI

Bizneset diskutojnë mbi zhvillimin e Ndërmarrësisë Sociale në Kosovë

Si metodë me anë të së cilës zhvillohen dhe financohen zgjidhje të ndryshme të problemeve shoqërore, Ndërmarrësia Sociale po konsiderohet si trend në rritje, dhe dita ditës po vërehet një orientim më i madh i vëmendjes së bizneseve në aktivitete të lidhura me këtë lloj të ndërmarrësisë. Kjo u tha sot në tryezën e rrumbullakët Ndërmarrësia Sociale në Kosovë, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane.

Antigona Limani, Udhëheqëse për Marketing dhe Marrëdhënie me Publikun nga Raiffeisen Bank tha se edhe pse banka Raiffeisen është kompani komerciale, ajo vazhdimisht është angazhuar për t’i ndihmuar dhe identifikuar organizatat dhe kompanitë me ndikim social, të cilat kanë pasur zhvillim të theksuar gjatë viteve të fundit në Kosovë. Për më tepër, ajo përmendi disa shtylla kryesore në të cilat kjo bankë është fokusuar në aspektin e zhvillimit të Ndërmarrësisë Sociale. Limani theksoi se është e nevojshme që të mbështeten bizneset të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve shoqërore, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi mes bizneseve dhe ky aktivitet të ketë impakt edhe më të madh në shoqëri.

Greta Kamberi, Specialiste e Rekrutimit në Gjirafa, tha se aktivitetet e kësaj kompanie në aspektin e Ndërmarrësisë Sociale janë të shumta, duke përmendur se fokus kryesor në vitin e fundit kanë pasur edukimin. Kamberi u shpreh se beson fuqishëm se përgjegjësia sociale është një kulturë që vjen nga brenda, dhe që duhet të integrohet në themelet e çdo kompanie. Ajo shtoi se është me rëndësi që Ndërmarrësia Sociale po zhvillohet dita ditës në Kosovë, dhe i inkurajoi të gjitha bizneset që të u shkojnë mbrapa këtyre aktiviteteve ose kauzave të cilat janë në të mirën e shoqërisë. Krahas kësaj, Kamberi shtoi se Gjirafa është gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë në iniciativa qe vijnë nga ndërmarrje të ndryshme ose akterë të tjerë që kontribuojnë në zhvillimin e Ndërmarrësisë Sociale.

Ndërsa, gjatë diskutimit të hapur, si sfidë kryesore për zhvillimin e këtij lloji të ndërmarrësisë u përmend mungesa e mirëmbajtjes pas implementimit të projekteve, që shpesh rezulton në pakënaqësi nga shoqëria.