Bislimi për qeverinë Kurti II: Rezultatet, janë të dukshme e të prekshme

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se tani kur po shënojnë tre vite të qeverisë Kurti II dhe Lëvizjes Vetëvendosje, shtetin e drejtuan kah e mbara: zhvillimi, drejtësia e siguria.

Bislimi, në një postim në Facebook, ka thënë se në integrim evropian, zhvillim ekonomik, dhe dialog, trasuan rrugën për një trajektore të re, progresiste por edhe të qëndrueshme, e cila i forcon themelet e avancimit demokratik të shtetit, përparimit ndërkombëtar dhe mbrojtjes së interesave të Republikës e përfaqësimit dinjitetshëm të saj.

Kosova po e vazhdon angazhimin “duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve në dialog”.

Rezultatet, sipas tij janë të dukshme e të prekshme.

“Ndërsa në zhvillim ekonomik patëm rritje mesatare ekonomike 6.2% për tre vitet e fundit e rritje të punësimit më shumë se ndonjëherë më parë, në integrim evropian nënshkruam marrëveshje dhe përmbushëm detyrimet në kuadër të atyre ekzistuese, e me anë të cilave do të përfitohen edhe gjithsej 229 milionë euro në formë grantesh, nga BE-ja e partnerë të tjerë. Ekonomia u zhvillua e njohu dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, por edhe rritje të qarkullimit të bizneseve, ku vetëm gjatë vitit 2023 i njëjti ishte 58% më shumë në krahasim me vitin 2019. Raporti eksport-import u përmirësua nga 1:9 në 1:6 dhe shpenzimet kapitale në vitin 2023 kanë arritur në nivelin më të lartë në historinë e vendit, në vlerën prej mbi 555 milionë euro të ekzekutuara”, ka shkruar pos tjerash Bislimi. /Kosova.info/

Go to TOP