Bislimi: Për fat të keq, Serbia përsëri refuzoi zbatimin e marrëveshjes

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova qëndron te oferta për të ofruar zgjidhje teknike të bazuara në planin e përbashkët me shtetet e QUINT-it, sa i përket rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Është diskutuar sot në Bruksel në takimet e procesit të dialogut lidhur me zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues. Për fat të keq, Serbia përsëri refuzoi marrëveshjen dhe zbatimin e saj”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Sipas tij, po ashtu, janë prekur një sërë çështjesh, ku janë trajtuar edhe disa shkelje të marrëveshjeve nga Serbia, si për energjinë, telekomunikacionin dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Sa i përket rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme dhe transparencën, palët do të sjellin ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër, duke respektuar gjithmonë vendimin e përmendur të BQK-së. Republika e Kosovës qëndron në ofertën e saj për të ofruar zgjidhje teknike bazuar në planin e përbashkët me vendet e Quint”, tha ai. /Kosova.info/

Go to TOP