Kosova

Bisedimet me Serbinë, fronti kryesor i betejave të Qeverisë Hoti – thonë analistët

Kuvendi i Kosovës më 3 qershor 2020, votoi për formimin e Qeverisë Hoti me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim, teksa të pranishëm në sallë ishin 86 deputetë. Por, sfidë kryesore të kësaj Qeverie, analistët e shohin dialogun e Kosovës me Serbinë.

Analisti politik, Ramush Tahiri dhe Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” kanë thënë se pjesa e dialogut do të jetë pjesa më e vështirë e qeverisjes.

Demhasaj ka thënë se edhe heqja e reciprocitetit për tu rikthyer në dialog me Serbinë do të jetë sfidë për Qeverinë Hoti dhe se sipas tij arritja e marrëveshjes së dialogut me Serbinë, do të mund të shtyhet me ndikimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

 “Mendoj se sfida kryesore ka me qenë dialogu. Prandaj pritshmëritë kryesore janë që Qeveria Hoti ka me u ballafaquar menjëherë me dialogun edhe ka me qenë sfida kryesore heqja e reciprocitetit. Kjo mendoj që ka me qenë sfida kryesore dhe ndoshta e vetmja, pasi që ndoshta edhe nuk do të ketë shumë kohë të merret me gjëra të tjera, por pa dyshim ka me qenë edhe me çështjet që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë. Këto dy çështje mendoj se kanë me qenë çështje kruciale me të cilat ka me u përballë Qeveria Hoti, ndoshta edhe qysh sot ka me u përballë me to, pra heqjen e reciprocitetit dhe kthimin në dialog me tendencë të arritjes së një marrëveshjeje finale me Republikën e Serbisë dhe çështja ekonomike”, tha Demhasaj.

Demhasaj tha se nuk beson se dialogu do të përfundojë shpejt, madje sipas tij, do të jetë pikërisht Thaçi ai që do të ndikoj në procesin e dialogut.

“Mendimi im është që nuk ka me u kry shpejt dialogu edhe këtu besoj se ka me pas ndikim edhe presidenti Thaçi, për arsye se unë mendoj se presidenti Thaçi tash ka me përdorë procesin e dialogut dhe ka me pas tendenca me e shty ose me e zvarritë, me e vonu këtë proces që marrëveshja potenciale mos me u arrit deri në mars të vitit 2021, me tendencë që presidenti t’i shtojë tensionet te koalicioni aktual qeveritar për ta marr edhe një mandat si president, me arsyetimet që ‘unë jam nismëtar i procesit të dialogut dhe duhet të jem pjesë e tij deri në përmbyllje, prandaj ai ka me u mundu me shty procesin e dialogut deri ta merr edhe një mandat si president i vendit. Pa dyshim që presidenti ka me ndikuar pasi është presidenti ai që dha mandatin kësaj qeverie e me gjasë e pamë që ai ndikoi te të paktën një deputet për ta dhënë votën për këtë Qeveri, kështu që ndikimi i tij ka me qenë i madh në këtë qeveri edhe për faktin që presidenti Thaçi do të jetë ai që së bashku me kryeministrin Hoti do të jenë pjesë e dialogut për arritjen e marrëveshjes, kështu që ndikimi ka me qenë shumë i madh, ndoshta ma i madhi që ka pas ndonjëherë ndonjë president në një qeveri në Kosovë”, tha Demhasaj.

Në anën tjetër, edhe Tahiri ka thënë se do të ketë telashe nëse në dialog, kjo qeveri pranon të shkojnë me ndonjë kompromis.

“Sa i përket pjesës së dialogut, kjo do të jetë pjesa më e vështirë. Nëse parametrat e dialogut do të shkojnë si shtet me shtet atëherë dallime nuk do të ketë. Nëse shkojmë me ndonjë kompromis, që i bjen më pak se shtet atëherë do të kemi telashe. Kemi dy pjesë të dialogut, ai teknik dhe politik. Nga kjo Qeveri pres me pas përkrahje ndërkombëtare, më shumë se Qeveria Kurti, që të qëndrojmë më mirë në marrëdhënie ndërkombëtare dhe të punojë në interes të qytetarëve”, tha Tahiri.

Kurse, për pjesën e rimëkëmbjen ekonomike, Tahiri tha se pret që edhe opozita të përkrahë në Kuvend programin zhvillimorë të Qeverisë Hoti.

“Qeveria e cila është zgjedh tani është vazhdimësi e qeverive të tjera. Sidomos për pandeminë dhe zhvillimin ekonomik, ose rimëkëmbjen ekonomike dhe pres që për këto dyja të ketë përkrahjen edhe të opozitës. Unë nuk shoh interes ndryshe mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndaj menaxhimit të pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Pres që në programin zhvillimor të ketë përkrahje edhe nga opozita”, tha Tahiri. /Telegrafi/