Kosova

Bilall Sherifi e ngucë pak Kurtin: A premtoi Serbia ndaljen e fushatës që e hoqe tarifën?

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti mori sonte vendim për heqjen e taksës 100 për qind për produkte të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në një nga pika te vendimit të Qeverisë thuhet se deri me 1 prill 2020, Qeveria do të nxjerrë vendim për të shfuqizuar vendimet e 21 nëntorit 2018, dhe për të vendosur masa të reciprocitetit të plotë në marrëdhëniet me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në të gjitha çështjet.

Por ka reaguar Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi. Ai pyet nëse kryeministri mori këtë vendim, ashtu sikur ishte propozuar në fillim nga Kurti, Serbia duhet të deklarohet publikisht për ndërprerjen e “fushatës për ç’njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Në funksion të transparencës lidhur me vendimin e sontëm të qeverisë për heqjen e tarifës 100% për lëndën e parë ndaj mallrave të Serbisë, qytetarët duhet të informohen nëse në vendimin e qeverisë vazhdon të qëndrojë kushti që para se të fillojë të zbatohet ky vendim, ashtu sikur ishte propozuar në fillim nga kryeministri Kurti, Serbia duhet të deklarohet publikisht për ndërprerjen e “fushatës për ç’njohjen e pavarësisë së Kosovës”. Apo është hequr pa këtë kusht?”, shkruan Sherifi në Facebook.

Kryeministrit Kurti i kanë kërkuar heqjen e tarifës shumë zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Kërkesa të njëpasnjëshme ka bërë edhe emisari i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë – Serbi, i cili është emëruar edhe ushtrues detyre i shefit të 17 agjencive të inteligjencës në SHBA.