Kosova

Bie numri i rasteve të trafikimit me qenie njerëzore

Dukuria e trafikimit me qenie njerëzore vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë, ndonëse viteve të fundit, sipas Policisë së Kosovës, është zvogëluar numri i viktimave të trafikimit, si të atyre nga Kosova ashtu edhe viktimave nga shtetet tjera.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2017 ishin gjithsej 32 viktima të trafikimit, ku 25 prej tyre kishin shtetësinë e Kosovës. Ndërsa në vitin 2018, numri i viktimave është zvogëluar në 15 persona, ku 12 prej tyre ishin me shtetësi të Kosovës.

Zyrtarja e lartë kundër trafikimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Adile Shaqiri, tha për Radion Evropa e Lirë se trajtimi i viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, në kuadër të trajtimit social, trajtohen si viktima të krimit të organizuar.

“Kategoria e viktimave të trafikimit në Kosovë, në kuadër të mbrojtjes sociale trajtohen si gjithë personat në nevojë, por normalisht me një prioritet ndryshe për shkak se viktimat e trafikimit janë viktima që vijnë nga krimi i organizuar, prandaj, edhe trajtohen me një prioritet më ndryshe nga akterë të gjithë sistemit rreth e rrotull Republikës së Kosovës”, tha Shaqiri.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se gjendja në strehimoret ku strehohen viktimat e trafikimit është e qëndrueshme.

“Republika e Kosovës është, ta quajmë, mjaftë stabile në kuptimin e ofrimit të strehimit të kësaj kategorie. Në kuadër të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, funksionon strehimorja e përkohshme e sigurt, strehimore e cila strehon viktimat e trafikimit me qenie njerëzore në nivel të mesën dhe të lartë të rrezikut. Ka kapacitet të bollshëm. Ne asnjëherë nuk e kemi mbushur kapacitetin e vendeve dhe të shtretërve për sa kemi, çka fatmirësisht, është gjë pozitive”, tha ajo.

Sipas Shaqirit, në Kosovë janë edhe dy strehimore tjera të cilat kujdesen për viktimat e trafikimit, por të cilat menaxhohen nga organizatat jo qeveritare, kurse Ministria e Mirëqenies Sociale mbështet projektet e tyre.

“Në Kosovë, funksionojnë edhe dy organizata të tjera. Organizata që vijnë nga shoqëria civile në kuadër të tyre kanë strehimoren. Njëra, nga këto trajton, strehon, rehabiliton vetëm fëmijë, të abuzuar të keqtrajtuar dhe viktima fëmijë të trafikimit. Është strehimore e tipit më të hapur, fëmijët që ishin viktima të trafikimit, ata të cilët rezultojnë me nivel të ulët të rrezikut. Kështu që kemi edhe qendrën tjetër rehabilituese, partnere tonën, nuk është institucion shtetërorë, janë qendra partnere të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, që ofrojnë shërbime rehabilituese dhe shërbime të riintegrimit më afatgjatë për viktimat e trafikimit”, theksoi Shaqiri.

Ndërsa, me anë të postës elektronike, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore, është përgjigjur për Radion Evropa e Lirë se kapaciteti i tyre është me 7 shtretër, dhe që gjatë muajit janar janë duke u shfrytëzuar prej 5 personave.

Në anën tjetër, në të dhënat e Policisë së Kosovës shkruan se gjatë vitit 2017 janë arrestuar 203 persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale trafikim me qenie njerëzore. Kurse, gjatë vitit 2018 ishin të arrestuar 263 persona.

Trafikimi me qenie njerëzore mbetet sfidë për shtetin e Kosovës. Sipas organizatave joqeveritare, në shumicën e rasteve, viktimat kosovare janë të mitura, jetojnë në viset rurale me kushte të vështira socio-ekonomike, ose këto viktima kanë përjetuar dhunë fizike në familjet e tyre.