Bota

Bideni ia ofron postin e ambasadores në Britani vejushës së mikut të ndjerë, John McCain

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, raportohet se ia ka ofruar postin e ambasadores së ShBA-së në Britani të Madhe zonjës Cindy McCain, që është e veja e senatorit të ndjerë republikan, mikut të Bidenit, John McCain.

Thuhet se zonja McCain, 66 vjeçe, është kandidatja kryesore për postin e ambasadores në vendin mik të ShBA-së pasi e ndihmoi Partinë Demokratike që të shënojë fitore në shtetin që tradicionisht ka votuar për Republikanët, Arizona. Fitorja në këtë shtet ia siguroi Bidenit 11 vota të Kolegjit Zgjedhor.

Një burim i afërt i Bidenit i ka thënë gazetës britanike “The Times of London” se posti i ambasadores në Mbretërinë e Bashkuar është i saji, nëse ajo e dëshiron, transmeton Gazeta Express.

Nuk është e qartë nëse zonja McCain e dëshiron këtë post diplomatik. Që nga vdekja e bashkëshortit, ajo është përqendruar më shumë në aktivitete bamirësie, shkruan Daily Mail.

Posti i ambasadorit amerikan në Britaninë e madhe është një ndër më të lakmuarit në Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, ndonëse atë shpesh e marrin aleatët politikë që i ofrojnë ndihmë presidentit të ri për t’i fituar zgjedhjet.

Ndryshe, Joe Biden dhe John McCain kanë qenë miq për një kohë të gjatë. Pavarësisht dallimeve politike dhe përfaqësimit të dy partive rivale, ata gjithmonë kanë treguar respekt jashtëzakonisht të lartë për njëri-tjetrin.

Në vitet e shtatëdhjeta, John McCain ishte caktuar si ndihmës i Bidenit gjatë një udhëtimi jashtë vendit, kur i zgjedhuri president shërbente si senator.