Kosova

Bideni e paralajmëron Iranin pas sulmit ajror: Bëni kujdes, s’mund të veproni pa u ndëshkuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të premten tha se vendimi i tij për t’i autorizuar sulmet ajrore amerikane në Siri është një paralajmërim për Iranin që të mos i përkrahë grupet militante që paraqesin kërcënim për personelin apo interesat amerikane.

“Nuk mund të veproni pa ndëshkueshmëri. Kini kujdes”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, kur u pyet nga një gazetar për mesazhin që ka pasur për qëllim të dërgojë me këto sulme ajrore, shkruan Daily Mail.

Sekretarja për medie e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha të premten se Bideni e përdori autoritetin kushtetues për ta mbrojtur personelin amerikan në veprimet e para ushtarake që i autorizoi si komandant suprem i forcave të armatosura.

Shtetet e Bashkuara të enjten kryen sulme ajrore në Siri. Raportohet se nga këto sulme u vranë 22 luftëtarë të përkrahur nga Irani dhe veprimi ishte kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa ndaj caqeve amerikane në Irak, me ç’rast u lënduan disa trupa amerikane dhe u vra një kontraktor më 15 shkurt.

Sulmi ajror u krye nga dy aeroplanë të tipit F-15E, të cilët hodhën shtatë raketa me saktësi të lartë dhe municion të kontrolluar.

John Kirby, zëdhënës i Pentagonit, tha se nga sulmi u shkatërruan plotësisht nëntë objekte, ndërsa dy të tjera nuk mund të jenë më në funksion si pasojë e sulmit.

Shtetet e Bashkuara e bën cak një pikëkalim që përdoret nga grupet militante për të bartur armë në kufirin mes Sirisë dhe Irakut.