Kosova

Bideni: Do të punojë të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi që respekton integritetin territorial

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes një deklarate u është drejtuar shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri.

Madje, në një pikë, ai thotë se Pavarësia e Kosovës, është e pakthyeshme.

Në letrën e dërguar nga komiteti shqiptaro-amerikan, thuhet gjithashtu se Bideni do të mbështesë dënimin e krimeve në Kosovë, dhe do të kërkojë drejtësi për të zhdukurit. Këtu, përmenden edhe vëllezërit Bytyqi.

Bideni, në këtë deklaratë, thotë se duhet të anulohet qasja e Administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes tyre dhe duhet punuar drejt një bashkëpunimi më të madh, raporton KOHA. 

“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese – të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, thuhet në deklaratën e Bidenit.

Edhe gazetari Enver Robelli, e ka publikuar një pjesë të kësaj deklarate, ku ndër tjera, Bideni përmend edhe shkrimtarin e publicistin Veton Surroi.

Në këtë letër, që është pjesë e fushatës presidenciale e që zgjedhjet pritet të mbahen më 3 nëntor, flitet për marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën e Shqipërinë.

Publikimi i Robellit:

Bideni i drejtohet Kosovës e Shqipërisë

Kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden, ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës u drejtohet shqiptarëve. Mes tjerash Biden dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris deklarojnë:

– Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

– Joe Biden ka përkrahur ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës më 1999

– Biden kritikon politiken e “pabalansuar” të Trumpit ndaj Kosovës dhe Serbisë, me fjalë të tjera Biden kundërshton qëndrimet e ashpra e arrogante të ekipit të Trumpit ndaj Kosovës

– Natyrisht Biden thekson se do të përkrahë Shqipërinë dhe integrimin e saj në BE

– Në pikën e parë të deklaratës Biden citon Veton Surroin: “Ai ka qenë njeriu të cilit i kemi telefonuar në Washington edhe në fillim të viteve 90-të…”.

Image