Bota

Biden fiton në Një Jork, Nju Xhërsi, Uashington DC

Ish-nënpresidenti Biden ka fituar në Nju Jork, Nju Xhërsi, Uashington DC, me nga 29, 14 dhe 3 vota respektivisht.

Më parë ai kishte fituar në Vermont, Masaçusets, Delauer (shteti i zotit Biden), dhe Merilend. Zakonisht këto shtete votojnë për demokratët. Parashikimet e deritanishme tregojnë se Presidenti Donald Trump ka fituar në Indiana, Kentaki dhe Oklahoma. Zakonisht këto shtete votojnë për republikanët, megjithëse në vitin 2008 Indiana votoi për ish-Presidentin Barack Obama. Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat Biden kanë siguruar, sipas këtyre parashikimeve 26 dhe 73 vota elektorale respektivisht. Nju Jorku ka 29 vota elektorale, shteti me numrin më të madh deri tani. Në Florida, një shtet fushëbetejë, përqindjet e tyre janë shumë pranë njëra-tjetrës. Nga shtetet vendimtare, Florida pritet të jetë ndër të parat që mund t’i nxjerrë rezultatet. Ky shtet ka 29 vota elektorale.