INTERVISTA

Bexheti: Lëvizja Ilirida, synon federalizmin e Maqedonisë

Federalizmi gjenezën e ka që nga viti 1992, vullneti i popullit u shpreh në referendumin e mbajtur nga PPD-ja. Republika e Iliridës akoma është çështje e hapur në OKB, Senatin e ShBA-ve dhe në Bruksel. Prandaj ne thirremi në këto fakte akoma ekzistuese, dhe do e ngremë përsëri çështjen e Federalizmit. Nuk duhet të kemi tabu sepse kjo është funksionale në shumë shtete. Karta e OKB-se e lejon po ashtu edhe dokumenti i Helsinkit.

Partitë politike shqiptare e disperzuan çështjen e Iliridës, nuk mundemi ta kuptojmë dhe të japim sqarim për këtë humbje, për shqiptarët.

Partitë politike vendin e kanë shndërruar në kalifate, i kanë ndarë sferat e interesit dhe territorin e veprimit, për qëllime kriminogene. Populli është prurë në skajshmërinë ekzistenciale, prandaj ia kanë mësy kurbetit, ngelëm pa popull.

Kështu thotë në një interviste ekskluzive për Kosova.info, anëtari i kësaj lëvizjeje, Nexhat Bexheti.

Kosova.info: Zotëri Bexheti, jeni tash e 16 vjet në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Tani, cili është profili juaj si parti politike e re?

Nexhat Bexheti: Kam kaluar nëpër disa cikle politike, së fundit kam qenë kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik. Aktualisht jam iniciatori dhe koordinatori i partisë së re Lëvizja Ilirida, e cila është në regjistrim e sipër. Jemi në kërkim të moduseve të reja për t’i inkorporua në platformën politike me karakter kombëtar, po ashtu si dëshirë parësore, tentoj që të bëj inkuadrimin direkt të diasporës, në udhëheqësin e Partisë. Atje kemi organizua këshilla nëpër disa shtete të Evropës.

Kosova.info: Cilat janë synimet tuaja për zgjedhjet e ardhshme në nivel vendi?

Nexhat Bexheti: Paragjykimet janë se nuk do regjistrohemi në afatin e zgjedhjeve të 12 prillit. Procedura e regjistrimit do hasë në pengesa subjektive, e dimë që nga tani. Por do të bashkangjitemi me ndonjërën e partive, ose do apelojmë se cilës parti ti jepen votat. Por ne më shumë do të përkushtohemi në zgjedhjet lokale, kur do kemi dy vite kohë ta shpalosim platformën tonë për jetësimin e Republikës së Iliridës, objektivat e platformës sonë më shpejt realizohen me marrjen e komunave,(pushtetin lokal). Pasi që komunat shqiptare dominante janë të shpërndara në kompaktësinë gjeografike në territorin e shtetit, dhe me numrin e konsiderueshëm demografikë. Që ne aludojmë në 900.000 banorë shqiptarë. Partitë politike gabimin e madh e kanë bë sepse kanë pranuar statutin minoritar, këtë e zbuloi komisioni i Venedikut sepse leximi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në gjitha institucionet, nuk aplikohet për minoritetet, sepse shpenzimet e mëdha për përkthimet. Tani e tutje duhet të shembet kjo e dhënë që në të ardhmen të trajtohemi shumicë e konsiderueshme në shtet. Federalizmi me sukses i zgjedhë këta anomali dhe probleme, dhe e sjellë paqen në vend. Përndryshe oscilimet dhe spiralja e pakënaqësive do zhvillohet dhe do vije në pyetje ekzistimi i shtetit.

Kosova.info: Subjekti politik në të cilin jeni, Lëvizja Iliridia, insistoni në federalizmin e Maqedonisë, pse, cilat janë interesat shqiptare nga kjo zgjidhje?

Nexhat Bexheti: Federalizmi gjenezën e ka që nga viti 1992, vullneti i popullit u shpreh në referendumin e mbajtur nga PPD-ja. Republika e Iliridës akoma është çështje e hapur në OKB, Senatin e ShBA-vë dhe në Bruksel. Prandaj ne thirremi në këto fakte akoma ekzistuese, dhe do e ngremë përsëri çështjen e Federalizmit. Nuk duhet të kemi tabu sepse kjo është funksionale në shumë shtete. Karta e OKB-se e lejon po ashtu edhe dokumenti i Helsinkit.

Partitë politike shqiptare e disperzuan çështjen e Iliridës, nuk mundemi ta kuptojmë dhe të japim sqarim për këtë humbje, për shqiptarët. Në popullatë nuk është shua kërkesa për federalizmin e shtetit, në terren e kanë përqafuar idenë e Lëvizjes Ilirida. Shqiptarët fitojnë pa masë sepse do vetadministrojnë me resurset njerëzore, resurset materiale dhe fiskale. Ne jemi i vetmi subjekt që publikisht kërkojmë federalizmin e vendit. Në dallim nga partitë shqiptare të cilat veprojnë, dhe se dimë shkakun, pse ata nuk e pranojnë opsionin e federalizmit, për habi është fakti.

Kosova.info: Sa besoni që do arrini jetësimin e këtij projekti, apo do mbetet vetëm joshje elektorale?

Nexhat Bexheti: Nuk do jetë punë e lehtë për të ardhur deri të optimalja e këtij projekti, por duke u bazuar në kohën e humbur 27 vjeçare, janë shterur të gjitha pritjet se do mbizotërojë politika apo bindja e arsyes, që të na kuptojnë se ne shqiptarët jemi forcë politike dhe forcë ekonomike. Anashkalimi i realitetit nuk mundet të ecë deri në pafundësi, dhe se durimi ka fund. Populli është i vet përgatitur nga bindjet se zgjidhje përfundimtare është federalizmi i shtetit.

Kosova.info: Së fundi kemi një lëvizje interesante pozitive të bashkimit të faktorit shqiptar në një listë zgjedhore për zgjedhjet në Serbi. Pse nuk ndodh edhe në Maqedoni një homogjenizim i ngjashëm i votës shqiptare?

Nexhat Bexheti: Për Serbi është për tu përshëndetur ky akt. Edhe në Maqedoni do ndodhë detyrimisht homogjenizmi i votës.

Kosova.info: Në tavolinë të bisedimeve rajonale se fundi kemi projektin e mini shengenit ballkanik pa Kosovën, cili është qëndrimi juaj?

Nexhat Bexheti: Këto janë projekte të mëdha, nuk e dimë ku e kanë burimin, dhe qëllimin përfundimtar, ose do ngelë si dëshirë e ndonjë loje politike. Nuk mundet të realizohet në praktikë sepse koncepti i shengenit është i realizueshëm me vendet në kufi, në këtë rast Kosova e ndan Shqipërinë. Ne jemi të vegjël që të japim përgjigje të madha për këtë fenomen. Por si do qoftë nuk e pranojmë pa Republikën Kosovës. Na jemi më shumë të lidhur për Republikën e Kosovës.

Kosova.info: Sa po e dëmton interesin nacional kombëtar shqiptar parcializimi i skenës politike shqiptare në grupe të ngushta interesi, veçmas në Maqedoni, Mal te Zi dhe Serbi?

Nexhat Bexheti: Parcializmi është një plagë e moçme, e cila i tangon të gjithë ata të cilët mendojmë racionalishtë. Ne jashtë trungjeve shqiptare që kemi ngelë i kemi përjetuar humbjet e betejave politike, me rezultate minore. Avancimi politik dhe juridik ka ngecur duke ecur me hapa, një para e dy prapa. Partitë politike vendin e kanë shndërruar në kalifate, i kanë ndarë sferat e interesit dhe territorin e veprimit, për qëllime kriminogene. Populli është prurë në skajshmërinë ekzistenciale, prandaj ia kanë mësy kurbetit, ngelëm pa popull.

Kosova.info: Kosova është akoma pa qeveri të re pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Ndërkohe qeverinë e re e pret sfida e bisedimeve me Serbinë. Si e shihni ju finalen e këtij procesi?

Nexhat Bexheti: Unë personalisht mendoj se mos konstituimi i qeverisë, ka ndonjë plan të harmonizuar me marrëveshje të palëve të cilat duhen ta bëjnë qeverinë. Që të zvarriten bisedat për të ardhur një kohë më e favorshme për Republikën e Kosovës. Duke e pritur rezultatin e zgjedhjeve në Serbi mos e përmbysin Vuçiqin dhe nacionalistet. Që të vijnë forca të reja politike në Serbi me orientim evropian. Me përfundim pozitiv të bisedave finale dhe për Serbinë futja në UE-në.

Intervistoi: Mentor BARANI