Betohet anëtari më i ri i KPK-së nga radhët e shoqërisë civile dhe zgjidhet anëtari nga Prokuroria Speciale

Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Ardian Hajdaraj, mbajti Takimin e 244-të me radhë, në të cilin diskutoi dhe miratoi pikat sipas rendit të ditës.  

Që në fillim të takimit të sotëm dha betimin anëtari më i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e shoqërisë civile, i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, Visar Krasniqi. 

Të gjitha vendimet që u morën në takimin e sotëm janë si vijojnë, me ç’rast Këshilli i Prokurorial i Kosovës: 

§  Miratoi nëntë (9) raporte vjetore të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit për vitin 2023.

§  Miratoi Raportin vjetor për veprat penale karakteristike të Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional për vitin 2023. 

§  Avancoi prokuroren Merita Kurtishi-Gaka nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila do të fillojë punën nga data 1 prill 2024.

§  Avancoi prokurorin Fatos Ajvazi nga Departamenti i Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili do të fillojë punën nga data 1 prill 2024.

§  Caktoi tre (3) anëtarë të Komisionit Këshillëdhënës për Etikën e Prokurorëve me mandat trevjeçar, prokurorët si në vijim: kryetar Lulzim Sulejmani, anëtar Agron Qalaj dhe anëtare Sheribane Selimi-Muçaj, kurse anëtarë rezervë u caktuan prokurorja Laura Pula dhe prokurori Shkëlzen Ibrahimi.

§  Miratoi Planin e personelit të sistemit prokurorial për vitin 2024, së bashku me rekomandimet e anëtarëve të KPK-së.

§  Miratoi Raportin vjetor të punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2023 dhe Planin i punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2024.

§  Transferoi prokurorin e Prokurorisë së Apelit, Arben Ismajli, në Prokurorinë Speciale.

§  Shpalli konkurs të brendshëm për transferimin e gjashtë (6) prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe konkurs të brendshëm për avancim në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, konkurse këto, të cilat do të publikohen më 25 mars 2024.

§  Aprovoi dorëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Lulzim Aliu, kurse propozimi për lirim nga detyra do t’i dërgohet Presidentes së vendit.

§  Aprovoi kërkesën për lirim nga detyra të kryesuesit të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe caktoi në vend të tij Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, kurse kryesues të Komisionit caktoi Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

§  Miratoi Raportin e Komisionit zgjedhor për zhvillimin e zgjedhjeve për anëtarin e KPK-së nga radhët e PSRK-së, duke zgjedhur njëkohësisht anëtarin e KPK-së nga radhët e Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi.

§  Refuzoi marrëveshjen vullnetare për shkeljen e supozuar disiplinore ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe riktheu rastin tek paneli hetimor.

Go to TOP