Bota

Beteja me koronavirusin në Gjermani: 350.000 teste në javë dhe trajtim me kohë i të infektuarve

Quhen korona taksi: Mjekë me rrobe mbrojtëse, që lëvizin nëpër rrugët e boshatisura të Heidelbergut, për t’i kontrolluar pacientët e izoluar në shtëpi, pesë apo gjashtë ditë pas shfaqjes së simptomeve të para tek ta.

Ata bëjnë analiza gjaku, në kërkim të treguesve se një pacient mund të jetë buzë një përkeqësimi të rëndë të shëndetit të tij. Ata mund të sugjerojnë hospitalizimin, madje edhe tek një pacient që ka simptome të buta: gjasat për ta mbijetuar atë përkeqësim dramatik rriten jashtë mase në rast se personi është i shtrirë në spital kur ndodh ajo, shkruan “New York Times”, transmeton KOHA.

“Ndodh një pikë kthese kah fundi i javës së parë”, thotë profesori Hans-Georg Krausslich, kreu i virologjisë në Spitalin Universitar në Heidelberg, një prej spitaleve kryesore hulumtuese të Gjermanisë. “Nëse je person, mushkëritë e të cilit mund të dështojnë, mu atëherë do të nisë përkeqësimi”.

Korona taksit e Heidelbergut janë vetëm njëra prej nismave në këtë shtet. Megjithatë, ato pasqyrojnë nivelin e angazhimit dhe zotimit të resurseve publike në luftimin e epidemisë, gjë që ndihmon në sqarimin e njërës prej enigmave më të mëdha të pandemisë: Pse në Gjermani, norma e vdekshmërisë është aq e lartë?

Virusi dhe sëmundja e shkaktuar prej tij COVID-19, e kanë mbërthyer Gjermaninë me forcë të madhe: Sipas Universitetit Johns Hopkins, shteti ka pasur më shumë se 91.000 të infektuar deri të shtunën, me shumë se çdo shtet tjetër, me përjashtim të SHBA-së, Italisë dhe Spanjës.

Por, me 1.275 të vdekur, përqindja e të vdekurve në Gjermani është 1.3, krahasuar me 12 për qind në Itali, rreth 10 për qind në Spanjë, Francë dhe Britani, 4 për qind në Kinë dhe 2.5 për qind në SHBA. Madje edhe Korea Jugore, shembull i kurbës së sheshtë, e ka një përqindje më të lartë të vdekjeve, 1.7.

“Është folur për anomalinë gjermane”, thotë Hendrik Streeck, drejtor i Institutit të virologjisë në Spitalin Universitar të Bonnit. Profesori Streeck është duke pranuar telefonata nga kolegët në SHBA dhe gjetkë.

“Çfarë po bëni ndryshe?”, më pyesin ata. “Përse përqindja e vdekjeve është aq e ulët tek ju?”.

Janë disa përgjigje të kësaj pyetjeje, thonë ekspertët. Ato paraqesin një kombinim të shtrembërimeve statistikore dhe dallimeve të vërteta në mënyrën se si shteti i është qasur epidemisë.

Mosha mesatare e të infektuarve është më e ulët në Gjermani, sesa në shumë shtete tjera. Shumica e pacientëve të parë ishin infektuar me virus në vendskijimet austriake dhe italiane. Ata ishin relativisht të ri dhe të shëndoshë, thotë profesori Krausslich.

“Gjithçka nisi si epidemi skijatorësh”, thotë ai.

Me rritjen e numrit të të infektuarve është rritur edhe numri i të moshuarve të prekur. Rrjedhimisht, përqindja e vdekjeve, vetëm 0.2 për qind dy javë më parë, është rritur po ashtu. Por, mosha mesatare e të infektuarve mbetet relativisht e ulët dhe është 49. Në Francë, kjo moshë mesatare është 62.5 vjet dhe në Itali 62 vjet, sipas raporteve më të reja të këtyre shteteve.

Një sqarim tjetër për numrin e ulët të vdekjeve është se Gjermania po teston shumë më tepër njerëz, sesa shumica e shteteve. Kjo do të thotë se ky shtet detekton me shumë njerëz me pak apo aspak simptoma, duke e rritur numrin e rasteve të identifikuara, por jo numrin e vdekjeve.

“Kjo automatikisht e ul në letër përqindjen e vdekjeve”, thotë profesori Krausslich.

Megjithatë, ka edhe faktorë të konsiderueshëm mjekësorë që kanë kontribuar në këtë përqindje në Gjermani, thonë epidemiologët dhe virologët. Kryesorët janë testimi dhe trajtimi i hershëm dhe i shumëpërhapur, shtretër të mjaftueshëm në kujdesin intensive dhe besimi tek qeveria, udhëzimet e së cilës për distancim social janë respektuar me të madhe.

Kah mesi i janarit, shumë kohë para se shumica e gjermanëve të preokupoheshin shumë me virusin, spitali “Charite” në Berlin tashmë e kishte zhvilluar testin dhe e kishte postuar formulën online.

Në kohën kur Gjermania regjistroi rastin e parë me COVID-19 në shkurt, laboratorët në Gjermani tashmë ishin pajisur me pajisje testimi.

“Arsyeja se përse ne në Gjermani kemi aq pak vdekje për momentin, krahasuar me numrin e të infektuarve mund të sqarohet me faktin se jemi duke kryer një numër jashtëzakonisht të madh të testimeve laboratorike”, thotë Dr. Christian Drosten në spitalin “Charite”.

Tani, Gjermania është duke kryer 350.000 teste të koronavirusit për një javë, shumë më tepër, krahasuar me çdo shtet tjetër evropian. Testimet e hershme dhe të përhapura ua kanë mundësuar autoriteteve që ta ngadalësojnë përhapjen e pandemisë, duke i izoluar rastet e njohura. Një gjë e tillë po ashtu ka mundësuar që trajtimi të sigurohet me kohë.

“Kur kam diagnozë te hershme dhe mund t’i trajtoj pacientët herët – për shembull t’i vë në ventilator para se ata të përkeqësohen – gjasat për mbijetesë janë shumë më të larta”, ka thënë profesori Krausslich.