SPORT

Besës i kthehen tri pikët, i lehtësohet rruga drejt Superligës

Kampiones së trefishtë të Kosovës në futboll, Besës së Pejës, i janë kthyer tri pikët që i ishin marrë në tetor të vitit të shkuar, me vendim të Komisionit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Vendimin e ka marrë të premten, po Komisioni Disiplinor i shkallës së parë, pasi ai i shkallës së dytë e kishte kthyer lëndën në rishqyrtim.

“Në rastin e rishqyrtimit të rastit, Komisioni Disiplinor vërtetoi se ka pushuar arsyeja për suspendim, pasi klubi Besa nga Peja, ka përmbushur obligimet e tërësishme ndaj lojtarëve”, thuhet ndër të tjera në vendimin e KD-së, që Besa e ka shpërndarë në Facebook.

Besa, që tash garon në Ligën e Parë, ishte dënuar, pasi nuk i kishte kryer obligimet ndaj futbollistëve për pjesën e parë të vitit 2019.

Besa është lidere në Ligën e Parë. Me tri pikët e kthyera forcohet në krye të renditjes me 31 pikë, katër më shumë se Arbëria, e pesë më shumë se Liria. Dy ekipet e para inkuadrohen në Superligë dhe Besa ka këtë synim.