Kosova

Bërnabiqi e gatshme të takohet me Kurtin, por ka disa kushte

Nga implementimi i marrëveshjeve të Brukselit, raporti ndaj taksave jolegale dhe raporti ndaj serbëve në Kosovë do të varet raporti i Beogradit ndaj institucioneve të reja “të përkohshme” në Prishtinë, ka deklaruar kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe ka porositur se është e gatshme të bisedojë edhe me Albin Kurtin, kryeministrin e ri të Kosovës.

“Jam e gatshme të bisedoj me të gjithë për të përmirësuar jetën e serbëve në Kosovë e Metohi apo kudo tjetër, përfshirë edhe me Kurtin”, ka thënë Bërnabiqi kur është pyetur nëse do të jetë e gatshme të bisedojë me kryeministrin e ri të Kosovës, raporton televizioni publik serb.

Ajo tha se Beogradi gjithmonë ka qenë i gatshëm për dialog dhe për bashkëpunim, përfshirë edhe dialog për temat më të rënda.

“Nga ta do të varet se si do të duket kjo”, shtoi kryeministrja serbe, transmeton Koha.net.

Sipas saj, janë disa tema të hapura dhe procese që kanë nisur, por që s’janë kryer, mbi të gjitha marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

Ajo thotë se ky është një obligim ndërkombëtar për Prishtinën, siç është edhe heqja e taksës.

“Në lidhje me këto dy gjëra, zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe mënyra se si reagon ndaj taksave jolegale për mallrat nga Serbia qendrore, do të varet edhe raporti ynë ndaj institucioneve të përkohshme në Prishtinë, ndërsa për dialog jemi gjithmonë të gatshëm, sepse kjo është mënyra e vetme që të kemi të ardhme më të mirë, më stabile dhe më të parashikueshme për të gjithë ne në këtë pjesë të Evropës”, porositi Bërnabiqi.

Shfaq më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published.