Kosova

Bërnabiq pas takimit me Grenell, ka një mesazh për Albin Kurtin

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka dhënë detaje nga takimi i saj me të dërguarin special të presidentit amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq nuk ka dashur ta komentojë përmbajtjen e bisedës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me të dërguarin special të presidentit amerikan, Richard Grenell.

Por, ajo ka thënë se është e njohur me përmbajtjen e saj dhe theksoi se takimi i saj me Grenellin ka qenë i mirë dhe i përqendruar tek zhvillimi ekonomik.

Bërnabiq në emisionin Hit në “TV Pink” ka thënë se ia përcolli Grenellit porpsinë se Beogradi asnjëherë nuk kishte hyrë në luftë tregtare me Prishtinën, as në rrethanat më të vështira kur ishte “kidnapuar dhe terrorizuar”, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Ajo për çka pajtohem në përgjithësi është se nëse gjendja ekonomike është më e mirë, nëse ekziston shkëmbimi dhe tregtia e lirë e mallrave, njerëzit jetojnë më mirë, kanë vende të punës, rroga më të mira, po ashtu zbuten tensionet politike dhe është hapësira më e madhe për kompromis. Edhe ne mundohemi ta bëjmë këtë”, theksoi Bërbabiq, transmeton lajmi.net.

Duke komentuar paralajmërimet se presidenti serb Vuçiq i vetëm i mbante shënimet zyrtare gjatë takimit me Grenellin, Bërnabiq ka thënë se është e njohur për përmbajtjen e bisedës por nuk e kishte parë dokumentin e shënimeve.

“Presidenti edhe fjalimet e tij zakonisht i shkruan vet, andaj nuk befasohem. Por, nuk dua të flas për atë bisedë sepse mendoj se i takon atij”, theksoi ajo.

Bërnabiq duke komentuar rastin e ndërprerjes së numërimit të votave nga Serbia pas rastit me zarfet që shkaktuan alergji ka thënë se kjo është “përpjekje që serbët e tyre t`i fusin në qeverinë e re të Prishtinës”.

“Kam frikë se nuk i intereson sesi votuan serbët, dhe serbët që do të hynin në atë qeveri nuk u interesojnë. Bëhet fjalë për njerëzit të cilët kur deshën ta bënin Ushtrinë e Kosovës direkt e shkelën kushtetutën e tyre,” tha ajo, transmeton lajmi.net.

Ajo po ashtu ka njoftuar se gjatë një rasti të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer e kishte njoftuar se Prishtina është duke bërë çkado që dëshiron dhe se nuk respekton as zakonet, as kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare.

“Ai tha në rregull, kjo është demokracia e re”, u shpreh Bërnabiq.

Kryeministrja serbe ka thënë se nuk ka pritje të mëdha pas paralajmërimit nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s. “Nuk kam pritje, por kam shpresë për vazhdimin e dialogut. Kjo do të ishte e mirë edhe për serbët edhe shqiptarët nga Kosova”, theksoi ajo.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.