Bërnabiq: Nuk ka marrëveshje për targat

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar sot se nuk është arritur asnjë marrëveshje me Kosovën për targat dhe ka theksuar se edhe serbët nga Kosova edhe Beogradi po kërkojnë zbatimin dhe respektimin e asaj që tashmë është nënshkruar, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Bërnabiq ka pretenduar se “Beogradi është i shqetësuar sepse nuk i sheh frytet e bisedimeve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe SHBA”.
“Albin Kurti po thotë se marrëveshja e Brukselit nuk ekziston. Këto janë sinjale të këqija. Ajo marrëveshje ekziston dhe duhet të respektohet”, ka pretenduar Bërnabiq.

Ajo ka thënë se Beogradi “pret që bisedimet që BE dhe SHBA po i zhvillojnë me Kosovën të japin fryte”.

Bërnabiq vazhdon me demagogji të vjetër duke pretenduar se sundimi i ligjit është parim evropian dhe se reflektohet në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar si dhe “Beogradi i ka përmbushur obligimet e veta shumë kohë më parë”, dhe se sipas marrëveshjes për targat e vitit 2021 janë futur letrat ngjitëse, dhe se “është dakorduar që kjo të mos ndryshohet pa marrëveshjen e të dyja palëve, të cilën Kosova e ka shkelur në mënyrë të njëanshme”.

Duke u përgjigjur në atë se Kosova i ka përmendur 20 modaliteteve, Bërnabiq ka thënë se “ata mund të kenë edhe 120 modalitete”.

“Nuk më intereson asgjë, Prishtina duhet të zbatojë atë çfarë është nënshkruar”, ka pretenduar Bërnabiq.

Go to TOP