Rajoni

Berlusconi në gjendje të rëndë shëndetësore

Prej shumë ditësh lideri i Partisë Forza Italia, ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ndodhet i shtruar në spitalin San Raffaele të Milanos.

U bë disa javë që lideri i qendrës së djathtë italiane hyn e del nga spitali për shkak të gjendjes shëndetësore që u vu në provë të fortë pas infektimit nga Covid-19.

Gjatë ditës së sotme kanë qarkulluar zëra mediatik se gjendja e tij shëndetësore është mjaft kritike.

Mjeku personal i Silvio Berlusconit, Alberto Zangrill, shfaqet hermetik në informacionin mbi gjendjen shëndetësore të ish-kryeministrit.

Pak orë më parë ka deklaruar se “pacienti i tij ka temperaturë për shkak të një infeksioni në trup”, ndërsa në profilin twitter ka postuar mesazhin se “të gjithë pacientët e tij janë mirë”.

84-vjeçari, Silvio Berlusconi, u infektua nga Covid-19 në shtator të 2020. Pas një qëndrimi disa javor në spital ai ka vazhduar kurimin në shtëpi.

Por duket se ky virus ka kushtëzuar prej disa muajsh gjendjen e tij shëndetësore.

Gjatë orëve të fundit shumë politikanë e sipërmarrës italianë i kanë dërguar mesazhe urime për një shërim të shpejtë.

Silvio Berlusconi ka qenë katër herë kryeministër i Italisë e prej vitit 2008 është lider i Partisë Forza Italia.